Flash News

KRYESORE

Më thuaj cilës protestë i beson, të të them kush je

Më thuaj cilës protestë i beson, të të them kush je

Alfred Lela

Ka një ‘standard të artë’ të protestës në politikën shqiptare me të cilin, me sa duket, ende matet revolta. Ata që e ruajnë dhe përdorin këta masë matëse janë të djallëzuar ose naivë. Të djallëzuarit e përdorin për të deligjitimuar apo diskredituar kundërshtarin politik, kurse naivët, prej mosnjohjes së proceseve politike apo elementit kohë në këto procese.

Kur vjen puna te Partia Demokratike, dy janë shenjat e këtij standardi. Protestat e saj priten të jenë masive (ajo është, në fund të fundit, partia që ‘i shpiku’ protestat dh mitingjet), dhe, gjithashtu të dhunshme.

Nëse asnjëra prej këtyre nuk ndodh, kundërshtarët gëzohen (po, ata do të kishin dashur dhunë që të mund ta bartnin në pafundësi damkën e partisë së parë opozitare të paskomunizmit) dhe madje, dashamirët apo mbështetësit e PD buzëvaren. Këta të dytët presin që, sa herë kryetari i PD të fërshëllejë me gishta në gojë, në Tiranë të derdhen mijra e mijra vetë.

Nuk mund të ndodhë më, as njëra dhe as tjetra. Masiviteti dhe dhuna janë shenja të idealizmit, frustrimit, vuajtjes, naivitetit të viteve ’90 të shekullit të shkuar, dhe ato nuk mund të trasnportohen në vitet ‘20 të këtij shekulli. Përveçse në kujtime.

Shenjat e kohë së re politike janë mosangazhimi, neutraliteti, mosbesimi, vaniteti, pragmatizmi apo edhe njëfarë përçmimi i politikes.

Me të drejtë, mitingjet janë zëvendësuar me toënhallet, dhe takimet e gjera me njerëzit me kontaktet një-për-një apo me komunikimin nëpërmjet mjeteve të reja të teknologjisë.

Në këtë kuptim dhe në këtë kohë, protesta e sotme e opozitës ishte një sukses i padiskutueshëm. Përveçse mblodhi me mijra vetë nga e gjithë Shqipëria, në temperatura që kapnin 30 gradë në pasqyrën e asfalttë të Bulevardit kryesor, protesta dha disa shenja të tjera politike që duhen lexuar si duhet.

Edhe nëse hamendësojmë për një çast se protesta ishte pa pjesëmarrje të lartë, siç aludoi kryeministri nga Berati apo të tijtë nga Facebook-u, angazhimi policor ishte masiv. Opozita ende e ka forcën dhe kredibilitetin që ta veshë shtetin me skafandra dhe polici speciale dhe ta vendosë në pozicion gatishmërie.

Si kryeministri, ashtu dhe ministri i Brendshëm nuk ndodheshin në zyra në orët e protestës, i pari për një dëgjesë në një qytet në jug, dhe i dyti u pa sa për tu dukur dhe për ‘të marrë lejen’ për t’u zhdukur. Të dy kanë dashur t’i shmangen një sikletosjeje publike nëse turma do të ishte lënë jashtë kontrollit dhe t’u mësynte zyrat.

Protesta e opozitës angazhoi të gjithë laramanët, ata me emrat e vet dhe rrogat e shtetit, por edhe të gjithë ata me profile false në Facebook, për ta kthyer të shtunën e pushimit në një ditë aksioni enverist në përndjekje të ‘reaksionit opozitar’ brenda kufijve.

Suksesi i protestës duhet parë edhe te fjalimi folësit të vetëm, kryetarit të demokratëve, Lulzim Basha. Ai interpretoi manifestin politik të opozitës para mbështetësve të saj dhe gjithë shqiptarëve. Ndryshe nga sa ndodh zakonisht, atë që tha në fjalim, Basha e bëri në protestë.

Kjo nuk është luftë mes opozitës dhe qeverisë, tha ai dhe nuk e lejoi të bëhej e tillë. Është betejë mes të mirës dhe të keqes.

Fjalimi dhe protesta ishin sinjale, sipas të gjitha gjasave, edhe për faktorin ndërkombëtar. Lulzim Basha u tha sot të huajve se mund dhe duhet ta shohin si partner, si alternativë të atij që, siç dëshmoi Berlini kanë filluar ta shohin si problem.

Thënë këto, secili është i lirë t’i besojë protestës së vet. Të zgjedhë mes naivitetit, djallëzisë dhe racionales.

 

Të fundit