Flash News

OP-ED

Medi Bici...një gjyqtar i ndershëm

Medi Bici...një gjyqtar i ndershëm

Anila Hoxha

Gjyqtarin e lartë Medi Bici e kam ndjekur në vite, në gjyqe që kanë bërë histori, për vrasës e kriminelë serialë. Kemi qenë gjithmonë të distancuar, secili në punën e tij. Nga Gjykata e Tiranës e kam parë kur ka zbritur shkallët e ka marrë autobusin në mbyllje të proceseve për t’u kthyer në shtëpi.

Ja, ashtu, i pambrojtur.

Më pas e takova gjyqtarin, Medi Bici, në Gjykatën e Lartë. Për një javë rresht më bënte habi se si ai vinte fiks në orar. Por, do ndalem te njeriu Medi Bici. Ai na tregoi në seancen e vettingut se çfarë bën këmbëngulja, puna dhe vullneti. Dhe ndershmëria.

Nga një punonjës në minierën e Valiasit për 21 vite, pas rënies së komunizimit ai ishte i etur për shkollë dhe ia arriti, u diplomua shkëlqyeshëm. Ka 20 vjet në gjyqësor tashmë. Aty ku ndershmëria është gur i rrallë. "Nuk pata mundësi që 3 fëmijet t’i shkolloja jashtë vendit", tha Medi Bici në sallën ku mbahen proceset e rivlerësimit. Ai u tregoi 3 zonjave të KPK se jeton në lagjen më të varfër të Tiranës, aty ku erdhi nga Manza për në minierë, e bleu në vitin ‘86 për 1.3 milionë lekë shtëpinë e tokën. Medi Bici guxoi dhe e rregulloi këtë shtëpi, nuk e la ta zinte brenda çatia.

I vetmi investim i jetës së tij, një banesë ashtu siç çdo shqiptar e synon iu kthye kundër. Sepse ILDPKI raporton se gjyqtari Medi Bici nuk justifikon ndërtimin e banesës. Dhe gjyqtari Medi Bici foli sa kushtonte gëlqerja, tulla, betoni e krahu i punës, atëherë në vitin 1990. Një shtëpi e ngritur tullë pas tulle deri sa u mbyll. GJyqtari Medi Bici foli për gëlqeren! Sepse, dikush nuk i kishte lexuar provat. Ai foli për veten, për gruan që e kishte pa punë e nuk kishte përdorur pushtetin. Dhe për fëmijët, për të cilët e ka ndihmuar i vëllai emigrant.

Pastaj foli për vendimet që ka dhënë , dënimet me vdekje, dënimet e përjetshme...klasifikimin si më i miri për rendiment. Por, atë e detyruan të flasë edhe për gëlqeren. Për kohën kur ngrinte kovat për të patur të drejtën e një shtëpie.

E mendoni dot?

Kur ai doli , unë i dhashë dorën. Toka dorën me një njeri të cilit i thashë ‘faleminderit’. Faleminderit që më dhe shpresë e besim për vendin tim. U ndjeva krenare që kam ndjekur në vite rrugën e një gjyqtari që nuk u korruptua. Me turp që, nga dembelizmi për të lexuar provat, po ju marrim të paktëve që ka sistemi, nderin dhe dashurinë për drejtësi.

*Anila Hoxha është gazetare e kronikës në Top Channel. Shkrimi është publikuar në Facebook-un personal.

 

Të fundit