Mediat serbe: Gruevski u arratis nga Shqipëria me pasaportë false

Arratisja e ish-kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, për në Hungari ka ngritur shumë pikëpyetje në vendin fqinj. Gruevskit i ishin bllokuar pasaportat që prej vitit të kaluar, për shkak të procesit gjyqësor që kishte nisur ndaj tij, ndaj kalimin e kufirit e kishte të pamundur në rrugë legale.

Por sipas mediave serbe, ‘Politika’ dhe ‘B92’, Gruevski është arratisur për në Hungari nga Shqipëria. Këto media raportojnë se Gruevski ka kaluar në orët e mbërmjes kufirin shqiptaro-maqedonas, duke përdorur një pasaportë false. Me të mbërritur në Tiranë, ish-kryeministri ka hyrë në Ambasadën e Hungarisë dhe ka kërkuar azil.

Po sipas këtyre mediave, Nikolla Gruevski është larguar nga Tirana për në Budapest duke përdorur linjën hungareze ajrore ‘Malév’.

Qeveria e Hungarisë në deklaratën e publikuar dje, raportoi se Gruevski kishte kërkuar azil në një prej ambasadave të saj jashtë territorit të Maqedonisë, por nuk e bëri publik emrin e shtetit. Gjithashtu, qeveria e Viktor Orban nuk dha detaje për rrugën që ish-kryeministri kishte përshkruar për të mbërritur në Hungari.

Nikolla Gruevski është dënuar me dy vite burg për shkak të abuzimeve me tenderin e blerjes së një makine luksoze dhe të blinduar. Kërkesa e tij për azil është duke u shqyrtuar nga Hungaria.