Meksika kërkon ekstradimin e autorit të masakrës së El Pasos në SHBA

Autori i masakrës së El Pasos, Patrick Crusius, ku humbën jetën 22 persona rrezikon dënimin me vdekje. objektivi i tij ishin meksikanët, e pavarësisht kësaj, presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, tha se shteti i tij nuk dëshiron që ai të ekzekutohet.

Lopez Obrador, ka thënë se pavarësisht pse dënon krimet e kryera nga Crusius, nuk dëshiron që ai të dënohet me vdekje, mirëpo do të kërkojë ekstradimin e tij në Meksikë.

“Kushtetuta jonë nuk lejon dënimin me vdekje. Nuk duam që ai të dënohet me vdekje. Dënimi me burgim të përjetshëm po ashtu nuk ekziston në Meksikë. Ne nuk duam mosndëshkueshmëri. Mirëpo ne kërkojmë që ndëshkimi të shërbejë si shembull që njerëzit të ndalojnë kryerjen e këtyre akteve.

Këto akte të urrejtjes ekstreme nuk janë të mira për Shtetet e Bashkuara dhe për asnjë vend”, tha kreu i shtetit meksikan. Crusius publikoi një dokument para se të kryente sulmin e 3 gushtit, duke u zotuar se do ta luftonte  “pushtimin hispanik” në Shtetet e Bashkuara.

Në deklaratën para policisë, ai u shpreh shënjestroi “meksikanët”.

Presidenti amerikan, Donald Trump është kritikuar për nxitje të urrejtjes te nacionalistët e bardhë në Shtetet e Bashkuara, pas akuzave ndaj meksikanëve si kriminelë dhe dhunues.