Menaxhimi i keq i pandemisë, mijëra izraelitë në protestë kundër qeverisë

Mijëra izraelitë protestuan të shtunën në mbrëmje në Tel Aviv kundër qeverisë dhe e akuzuan atë për keqmenaxhimin e gjendjes së krijuar nga pandemia e COVID-19.

Shumica të rinj, mbushën sheshin “Rabin”, ata mbanin maska, por nuk respektuan masat e distancimit fizik.

Protestuesit thanë se mbështetja financiare nga qeveria po vonon, ndërsa shumë vetë janë në vështirësi, sidomos ata të punësuar në biznesin e vogël, zejtarët dhe të vetëpunësuarit.

Ashtu si çdo shtet të botës, edhe Izraeli është goditur rëndë nga pandemia. Niveli i papunësisë në këtë vend arriti në 21% si rezultat i izolimit të vendosur për të frenuar përhapjen e COVID-19.

Izraeli po rihap ekonominë, por shtimi i rasteve të reja detyroi rikthimin e disa kufizimeve këtë javë. Kjo ka nxitur dhe më tepër zemërimin e qytetarëve.