Flash News

KRYESORE

Mendimtarët muslimanë kundër Muhametit dhe Kuranit. Pse?

Mendimtarët muslimanë kundër Muhametit dhe Kuranit. Pse?

Ibn Warraq

...vijon  (Pjesa e parë këtu)

Në  vitin 1280, në Bagdad, u shfaq një libër i paharrueshëm i shkruar në arabisht nga filozofi dhe fizikanti çifut Ibn Kammuna. Njihet gjerësisht me titullin Ekzaminimi i Tri Feve. Libri është mbresëlënës për shkak të objektivitetit shkencor dhe qasjes kritike ndaj Judaizmit, Krishtërimit dhe, mbi të gjithë, ndaj Islamit. “Deizmi pothuajse agnostik përmbush vëllimin e vogël.”

Profeti Muhamet përshkruhet si joorigjinal: “Ne nuk do të pranojmë që [Muhameti] i shtoi njohjes së Perëndisë dhe bindjes ndaj Tij asgjë më shumë se sa ishte gjetur nga fetë e mëparshme.” As Profeti nuk është i përkryer: “Nuk ka asnjë provë që Muhameti realizoi perfeksionin dhe aftësinë për të perfeksionuar të tjerët, sikurse pretendohet.” Zakonisht njerëzit konvertohen në Islam vetëm “nën terror ose në kërkim të pushtetit, ose për të shmangur taksimin e rëndë, ose për të shmangur turpërimin, ose në qoftë se janë zënë robër, ose sepse janë dashuruar me një grua muslimane.” Një i pasur jo musliman, që e njeh mirë fenë e tij, por edhe atë islame, nuk do të konvertohej me përjashtim të rasteve të mësipërme. Si përfundim, muslimanët duken të paaftë për të dhënë argumenta –  për mos të thënë prova – për jetën profetike të Muhametiti. Si reaguan muslimanët ndaj këtij skepticizmi? Kronisiti i shekullit të 13-të  Fuwati (1244-1323) përshkruan ngjarjet e ndodhura katër vite pas publikimit të traktatit.

 

“Këtë vit (1284) u përhap lajmi në Bagdad që Hebreu Ibn Kammuna ka shkruar një vepër... në të cilën ai shfaq paturpësi në diskutimin e profecive. Zot na ruaj nga përsëritja e çka ai tha. Turma e xhindosur u revoltua, u mblodh për të sulmuar shtëpin e tij dhe për ta vrarë. Emiri ... dhe një grup zyrtarësh të lartë kalëruan drejt medresesë së Mustansirisë, thirrën gjyqtarin suprem dhe mësuesit e dorëshkrimit për të mbajtur një dëgjesë mbi çështjen. Ata e kërkuan Ibn Kammunan, por ai ishte arratisur. Ishte ditë e premte. Gjyqtari suprem përgatiti lutjen, por pasi turma e pengoi, ai u kthye në Mustansiri. Emiri doli për të qetësuar turmën, por njerëzit u treguan abuzivë ndaj tij dhe e akuzuan se ishte në krahun e Ibn Kammunaa, dhe se po e mbronte atë. Atëherë, me urdhër të emirit, në Bagdad u përhap lajmi që, në agimin e ditës së nesërme përpara murit të qytetit, Ibn Kammuna do të digjej. Turma u largua, dhe Ibn Kammuna nuk u përmend më. Për sa i përket Ibn Kammunas, u vendos brenda një arke të mbuluar me lëkurë dhe u transportua në Hila ku djali i tij shërbente si oficer. Aty qëndroi deri sa ndërroi jetë.”

 

Narrativa e Fuwatit ilustron se si, përgjatë historisë të Islamit, muslimanët e thjeshtë, dhe jo vetëm të ashtuquajturit 'ekstremistë', kanë reaguar ndaj fyerjeve të hamendësuara kundër fesë të tyre. Dy shembuj komikë vijnë nga India. Ekonomisti amerikan, John Kenneth Galbraith, u gjend në vështirësi gjatë detyrës të tij si ambasador amerikan në Indi (1961-1963), kur u mësu se ai e kishte emëruar macen e tij “Ahmet” – Ahmet është edhe një nga emrat me të cilët njihet profeti Muhamet. Kur Deccan Herald i Bangalorit publikoi një histori të shkurtër me titullin “Muhamet idioti”, muslimanët dogjën zyrat e gazetës. Siç doli, historia nuk kishte lidhje me Profetin, por me një të çmendur që mbante të njëjtin emër. Kohët e fundit, dhjetë indianë u burgosën në Emiratin e Sharjahut për vënien në skenë të një drame me titull Milingonat që ushqehen me kufoma, e cila, sipas autoriteteve, përmbante vërejtje kundër Muhametit.

Muslimanët që guxonin të kritikonin cilësoheshin si heretikë dhe zakonisht iu pritej koka, kryqëzoheshin, ose digjeshin. Unë e shqyrtoj gjendjen e vështirë të disa prej tyre gjatë Epokës të Artë të Islamit në kapitullin 10. Këtu do ta kufizoj veten te shembuj krahasimisht bashkëkohorë të kriticzmit ndaj Islamit nga muslimanët.

Shumë nga shembujt janë marrë nga libri i shkëlqyer i Daniel Pipes, Çështja Rushdie. Pipes përshkruan ato grupe shkrimtarësh dhe mendimtarësh muslimanë të cilët u ndëshkuan për veprën e tyre heretike, dhe ata të cilët u arratisën pa pësuar dënime për gabimet e tyre. Përpara se të përshkruaj fatin e tij tragjik, më duhet të shoh pak nga kriticizmi befasues i Dashtit drejtuar disa prej dogmave më të shtrenjta të muslimanëve, në veprën e tij klasike Njëzet e tre vjet. Edhe pse libri është shkruar në 1937, u publikua vetëm në 1974, ndoshta në Bejrut, pasi midis 1971 dhe 1977 regjimi i Shahut të Iranit ndalonte publikimin e çdo kritike ndaj religjionit. Pas Revolucionit Iranian të 1979, Dashti autorizoi publikimin nga grupet opozitare të fshehta. Libri i tij, titulli i të cilit i referohet karrierës profetike të Muhametit, mund të ketë shitur gati gjysëm milion kopje në edicione pirate midis 1980-1986. Fillimisht, Dashti mbron mendimin racional në përgjithësi dhe kritikon besimin e verbër pasi “feja mpin arsyen njerzore dhe logjikën e shëndoshë”, edhe te njerëzit e mendimit. Mendimi racional kërkon ‘studim të paanshëm”. Ai mohon me forcë të gjitha mrekullitë që i atribuohen Muhametit nga disa komentatorë muslimanë të mëvonshëm dhe të mbizellshëm. Dashti ia parashtron qasjen ortodokse, që e sheh Kuranin si fjalën e vetë Zotit, se është një mrekulli nëpërmjet virtytit të elokuencës dhe lëndës, një ekzaminimi të plotë dhe skeptik. Ai vë në dukje se edhe disa mendimtarë të hershëm muslimanë, “përpara se të mbizotëronte fanatizmi dhe hiperbola, pranuan hapur që kompozimi dhe sintaksa e Kuranit nuk janë të mbinatyrshme, dhe se një vepër e së njëjtës cilësi, apo dhe më të madhe, mund të prodhohej nga besimtarë të tjerë”.

'Gjithashtu, Kurani përmban fjali të pa përfunduara dhe jo qartësisht të kuptueshme pa ndihmën e komenteve; fjalë të huaja, fjalë arabe të panjohura, dhe fjalë të përdorura me një kuptim ndryshe nga i zakonshmi; mbiemra dhe folje të lakuara pa respektuar gjininë dhe numrin; përemra të aplikuar në mënyrë jo logjike dhe jo gramatikore, të cilat nuk kanë referenca; kallëzues që, në fragmente të rimuara, zakonisht janë larg nga subjekti. Këto dhe lajthitje të ngjashme gjuhësore u kanë dhënë kredite kritikëve që mohojnë elokuencën e Kuranit... Për të përmbledhur, janë gjetur më shumë se njëqind pasaktësi linguistike."

Po për mëtimin se përmbajtja është mrekullibërëse? Ashtu si edhe Ibn Kammuna, Ali Dashti vë në dukje se, Kurani...

"Nuk përmban asgjë të re në kuptimin e ideve që tashmë nuk janë shprehur nga të tjerët. Të gjitha rregullat morale të  Kuranit janë të vetëkuptueshme dhe të pranuara gjithësisht. Historitë në të janë marrë në forma identike apo lehtas të ndryshura nga ritet  hebraike dhe të krishtera, fetë e mëparshme me rabinët dhe murgjit e të cilave Muhameti u takua dhe këshillua gjatë udhëtimeve në Siri, dhe nga kujtimet e ruajtura nga pasardhësit e popujve të “Ad dhe Thamud.” … Në fushën e mësimeve morale, megjithatë, Kurani nuk mund të konsiderohet mrekullibërës. Muhameti përsëriti parimet që njerëzimi i kishte krijuar shekuj më parë dhe në shumë vende. Konfuci, Buda, Zoroastri, Sokrati, Moisiu dhe Jezusi kishin thënë gjëra të ngjashme… Shumë prej detyrave dhe riteve të islamit janë vazhdimësi të praktikave që arabët paganë i kishin adoptuar nga hebrejtë.

Dashti përqesh aspektet supersticioze të shumicës së ritualeve, sidomos të atyre gjatë pelegrinazhit në Mekë. Muhameti vetë del si një personazh tinëzar që ulet në nivelin e ekzekutimeve politike, vrasjeve, dhe eliminimit të të gjithë kundërshtarëve. Ndër ndjekësit e Profetit, vrasjet kaloheshin si “shërbime për islamin.” Pozita e grave në islam ekzaminohet dhe statusi i tyre inferior pranohet. Doktrina myslimane e Perëndisë kritikohet. Perëndia e Kuranit është mizore, e zemëruar dhe krenare—cilësi që nuk duhen admiruar. Dhe në fund, është shumë e qartë që Kurani nuk është fjala e Perëndisë, sepse përmban shumë raste që përziejnë identitetin e dy folësve, Perëndisë dhe Muhametit.

Dashti vdiq në 1984 pasi kaloi tre vite në burgjet e Khomeinit, ku u torturua pavarësisht moshës së tij tetëdhjetë e tre vjeçare. Para se të vdiste i tha një miku: “Sikur Shahu të kishte lejuar botimin dhe leximin e librave të tillë, ne kurrë nuk do të kishim pasur një Revolucionin Islamik.”

vijon...

Të fundit