Flash News

KRYESORE

"Mendje të ftohta për zgjedhje të nxehta"

"Mendje të ftohta për zgjedhje të nxehta"

Nevila Xhindi, Sekretare për Shoqërinë Civile në Partinë Demokratike, përmes një statusi në rrjetet sociale përshkruan se si e sheh Partinë Demokratike.

Me anë të statusit Xhindi flet për mesazhet e shumta që ka marrë ku sipas saj të gjithë kanë në thelb fjalët: bashkim-meritokraci -garë- ringritje- opozitë të fortë Edi Ramës dhe shton se nga çdo betejë mendjet hapura e të ndritura kurrë nuk dalin humbëse: ose fitojnë, ose mësojnë.

Sipas Xhindit në 4 vite PD ka bërë opozitë kundër drogës dhe krimit, u përball fuqishëm politikisht në parlament dhe arriti shumë në sferën e politikës me ligjin e dekriminalizimit, me perpjekjet dhe luftën kundër drogës dhe me luftën për zgjedhje të lira. 

Reagimi i Xhindit:

Mendje të ftohta për zgjedhje të nxehta

Paskësh qënë thënë që zgjedhjet do jenë thembra e Akilit këtë verë të nxehtë, e nxehtë nga dielli, e nxehur nga adrenalina e fitores, e përvëluar nga trishtimi i humbjes. Zgjedhjet, ato që të japin mundësinë të përpaqësosh të paktët a të shumtët, ndjekësit politikë apo jo, simpatizantët, besnikët, hileqarët e servilët...zgjedhjet parlamentare...dhe jo vetëm ato, e "dogjën" këtë verë.

Të përvëluar nga trishtimi i humbjes, të inatosur nga ngjarjet që po ndodhin me shpejtësi të parashikuar për shumëkënd, ca të mërzitur dhe ca të inatosur, ca që shajnë, ca që lëvdojnë, ca servil e ca tradhëtar...e gjitha kjo një përplasje brezash, meritash, ofiqesh, grupimesh, pakënaqësish e dashurish ...kjo është pak a shumë siç e shoh PD-në time sot.

Sot e dje, dje e pardje, pardje e parsidje kam marrë e vazhdoj të marr mesazhe nga dhjetra miq, kolegë nga shoqëria civile, të njohur, partiakë e jo partiakë, të ditur, të lexuar, të ndershëm, ca dashamirës e ca kritizerë, ca konstruktive e ca mendojnë mes llafeve...pra shumë, shumë. Të gjithë të interesuar për fatin e PDs, për opozitën e fortë që na pret dhe secili më kaloi një mesazh të rëndësishëm, shpesh i njëjti, disa herë i ndryshëm e disa herë i paqartë, por gjithnjë një mesazh që vlen në përpjekje të zgjidhjeve. Në dëshirën për të mbajtur mend çdo mesazh, truri bëri selektimin e vet dhe mbizotëruan fjalët : bashkim-meritokraci -garë- ringritje- opozitë të fortë Edi Ramës.

Çdo betejë ka humbës e fitues, por nga çdo betejë mendjet hapura e të ndritura kurrë nuk dalin humbëse: ose fitojnë, ose mësojnë. Mendoj që për Partinë Demokratike fitoret dhe mësimet në këto 27 vjet kanë qenë një shkollë e madhe demokracie, qëndrueshmërie, fisnikërie, shkollë për të elaboruar e praktikuar idetë e djathta, por kemi mësuar edhe nga konfuzioni me praktikat e majta, shkollë që na ka ndihmuar si të vlerësojmë njëri tjetrin, demokratët e thjeshtë, mbështetës pa pretendime të çdo kohe, të cilët janë vlerë, ato që na kanë mbështetur hapur e pa kushte ofiqesh, shkollë ku janë pranuar e vlerësuar mendjet inovatorët, intelektualet...e kush më shumë e më mirë se PD. 

Sigurisht në politikë asgjë nuk ndodh rastësisht, por ndodh me arsye, që i po nuk i analizove me kujdes, pa emocion dhe në kohën e duhur, rrezikon të mos mësosh, të mos reflektosh dhe u jepet terren servilëve e inatçorëve, më shumë nga idealistëve e parimorëve.

Këto zgjedhje për PD-në ishin një goditje, nga ato që të hutojnë dhe që kanë nevojë për kohë që të të ftohet koka e të analizosh, të gjesh arsyet, faktorët, aktorët, figurantët etj etj...dhe të reflektosh!

Ama shumë shpejt mendja e nxehtë nxjerr të parin përgjegjës Lulzim Bashën. 

Po, e drejtë, Basha duhet te gjykohet, por i tëri ama jo me copëza dhe jo i vetëm. Shumë prej nesh flasin nisur nga momentumi, i cili është humbës dhe jo nga analiza dhe faktet e opozitës së tij 4-vjeçare. 

A arriti Basha dhe ne demokratët të bënim në PD një reformë të thellë politike për bashkim ndaj kauzave të djathta? Them se përpjekjet serioze u bënë, pat arritje...por dhe dështime.

A nuk ju kujtohet sa i trishtë dhe i pashpresë ishte post qershori i 2013s? Por ne ditëm të ngrihemi, të jepnim shpresë për demokratët. Në pak kohë PD do rregjistronte dhe të shtonte anëtarësinë, të zgjidhte strukturat, të bënte zgjedhje për organet e saj të larta politike, të zgjidhte këshillin kombëtar e kryesinë e saj, të formonte dhe të mblidhte rreth departamenteve politikanë të rinj e të karrierës, përfaqësues të ish pronarëve, të ish të përndjekurve politikë, profesionistë të fushave zhvillimore, artistë, sportiste, të rinj të mirëshkolluar, akademikë, intelektualë, njerëz të ndershëm e me integritet, gati për një PD të fortë, pa pasë axhendë republikash të reja a të vjetra, por të bashkuar për një opozitë Blu! 

Në 4 vite PD bëri opozitë kundër drogës dhe krimit, u përball fuqishëm politikisht në parlament nën presionin dhe egërsinë e krimit, oligarkëve, numrave e vendimmarrjeve me efekte kombëtare të mazhorancën Rama- Meta. 

Në këto 4 vite opozitë Basha dhe demokratët arritën shumë në sferën e politikës me ligjin e dekriminalizimit, me perpjekjet dhe luftën kundër drogës, me luftën për zgjedhje të lira. 

Në 4 vite u krijuan plot rrethana kundër opozitës së Lulzim Bashës, për të cilat të gjithë ne kemi debatuar, shkruar e dëgjuar, që ai nuk i kontrollonte. 

Edhe pse ne sot flasim sikur këto 4 vite të kishin qenë një situate normale, them se Basha objektivisht e ka pasë të veshtirë, opozitë e vështirë, sulme ndaj PDs dhe ndaj tij personalisht, sulmi i pushtetit për të gjunjëzuar opozitën dhe kreun e saj. 

E Pra ishim të gjithë bashkë dhe arritëm shumë!

Basha duhet të gjykohet nga tani e tutje për atë që po bën e do bëjë në vijim për të siguruar garë të ndershme. Tani do të duket vullneti dhe aftësia e tij politike. Padyshim që ka bërë gabime apo gjykime të diskutueshme, për arsyen e shumë faktorëve dhe rrethanave, shpjegimin e të cilave ua ka borxh çdo demokrati, deri në shpjegim shterrues. 

PD-ja ka nevojë për të gjithë ne; sot më shumë se kurrë. Një parti si kjo e jona, me kaq shumë kontribues politik që nga themelimi i saj e deri sot tek betejat e forta për demokraci, duhet të dijë të debatojë, të krijojë, të vlerësojë, ti japë ajër mendimit ndryshe, të ketë garë, pa mendje e inate të nxehta( pamvarësisht vapës). 

Ne të gjithë duam PD-në, kjo është që na bashkon!

 

Të fundit