Flash News

KRYESORE

Menuja e re në çerdhe e kopësht, Blerina Bombaj sqaron prindërit: S’jam dakord për mungesën e peshkut! Mediat duan klikime

Hartimi i menusë në çerdhe dhe kopsht nga dietologia Blerina Bombaj ngjalli debate të  shumta në media, por dhe reagimin e prindërve të cilët e konsideruan si të papërshtatshme për fëmijët e tyre.

Bombaj, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News 24, u është përgjigjur pyetjeve të prindërve të cilët i kanë shkruar gazetares Nisida Tufa.

“Është një regjim ushqimor i mirëndërtuar sipas rekomandimeve të OBSH-së. Këtu ka plotësim të gjithë nevojave ushqyese. Vitamina C, hekuri, acidi folik, që ndihmojmë në parandalimin e anemive. Nuk ka reduktim ka plotësim të nevojshëm. Pse të marrë një fëmijë më shumë se duhet?  Le të marrë aq sa i duhet” u shpreh Bombaj.

Më tej Bombaj shtoi se në menunë e propozuar nga vetë ajo ka qenë dhe peshku, por menuja është ndryshuar.

“Unë  nuk jam dakord që nuk u vendos peshku, por nuk ishte zgjedhja ime, m’u propozua. Menuja nuk është vegane. Mishi është vendosur përditë tek latantët 6 deri në 12 muajsh që kanë një rritje më të vrullshme se mosha më e madhe.  Anemia është më e shpeshtë në këtë moshë. Nga 1 deri në 12 vjeç nuk janë aq  shumë prioritet nevojat për hekur. Por hekur kanë dhe  ushqime të tjera bimore, jo vetëm mishi".

E pyetur se përse ndryshimi i menusë nuk u bë gradualisht por njëherësh, Bombaj u përgjigj, “Unë do të thosha që nëse vendosim një menu japoneze, alga, ose speca djegës e kuptoj që është ndryshim drastik. Çfarë ka të jashtëzakonshme veç tërshërës, një herë në javë?  Fëmijët nuk kanë nevojë për një masë të bluar që nuk e di se çfarë ka brenda.

Sa i përket fëmijëve që nuk pëlqejnë tërshërën, dietologia tha se ka gjithmonë një zgjedhje të dytë. Bombaj më tej shtoi se detyra e saj është të tregojë se ku është bazuar te zgjedhja e ushqimit dhe pse.

Ndërsa sa i përket reagimeve të ashpra në media, Bombaj shtoi, “Ky është një problem shumë i madh pasi mediat kanë dashur klikime. Dhe gjithmonë një lajm negativ klikohet më shumë sesa një lajm pozitiv. Ne e kemi për detyrë dhe ju e keni për detyrë që të vendosni norma të caktuar.

Më tej, Bombaj shprehet se ka qenë nevoja për zhvillimin e një fushate paraprake  ku të informoheshin prindërit në lidhje me ndryshimet në menunë e fëmijëve, por sipas dietologes, “kjo është është përgjegjësi e institucioneve”.

Bombaj sqaron po ashtu se trahanaja dhe tërshëra nuk janë pjesë e një diete të caktuar.

“ Sa i përket trahanasë dhe tërshërës nuk janë pjesë e një diete të veçantë në asnjë dietë. Greqia e quan trahananë një ushqim autokton. Ndërsa tërshëra, është një nga drithërat më ideale, që ndikon deri te mirëqena e trurit. Edhe sipas studimeve, fëmijët që kanë konsumuar tërshërë kanë patur një mbarëvajtje më të mirë.

Tërshëra është një drithër që ka kalori sa drithërat e tjerë, ka hekur, ka atë që e ka më të çmuar, fibra të cilat kanë efet në aparatin tretës të fëmijëve që janë shumë të rëndësishëm për imunitetin tonë. Ka vlerë të jashtëzakonshme si produkt”, shtoi më tej Blerina Bombaj.

  

 

Të fundit