Merkel nga Zagrebi: Do bisedojmë me Francën, të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se do të bisedojë me Francën për të krijuar kushtet që të hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ajo është në kërkim të konsensusit me presidentin francez Emmanuel Macron, në mënyrë që procesi i zgjerimit të unionit të vazhdojë.

Deklarata e saj u bë në Zagreb, ndërsa ajo takoi homologun Andrej Plenkoviç, po ashtu mbështetës i madh i çeljes së negociatave.

“I mbështesim planet e qeverisë kroate për të organizuar një konferencë të përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor në formatin e plotë të Bashkimit Evropian. Dhe do të jetë e rëndësishme që ne të krijojmë kushtet për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Merkel.

Më pas u ndal te Franca.

“Ne tani duhet të bisedojmë me Francën dhe këtë duhet ta bëjmë shumë intensivisht, për të saktësuar elementet që duhen përmirësuar , që duhen ndryshuar, në procesin e zgjerimit. Jemi të gatshëm të bisedojmë, edhe pse që sot kemi një numër të madh mundësish për të qenë fleksibël. Ne duhet t’u ofrojë vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë reale anëtarësimi”, tha kancelarja gjermane, që shtoi se reformimi nuk duhet që të detyrojë BE-në të tërhiqet nga premtimet e bëra.

Merkel ndodhet në Zagreb për të marrë pjesë në Kongresin e Partive Popullore të Evropës.

Kroacia do të jetë kryetare e radhës e BE-së në gjashtë mujorin e parë të vitit të ardhshëm, ndërsa Gjermania në gjashtë mujorin dytë.