Flash News

KRYESORE

Mesazhet dhe provokimet e Angela Merkel në samitin e G20, në krah qëndron Kina, Trump përfundon në fund

Ashtu siç pritej, samiti i G20-ës i zhvilluar në Hamburg të Gjermanisë ishte një shfaqje kur liderët e shteteve më të fuqishme të botës u përpoqën që nëpërmjet deklaratave dhe sjelljeve të paraqisnin pozicionin e tyre për çështje të caktuara dhe të përballeshin me kundërshtarët.

Organizatorja e këtij samiti, kancelarja Angela Merkel dha mesazhe të forta, por nuk munguan as provokimet, kryesisht ndaj presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe kryeministres së Britanisë së Madhe, Theresa May.

Në foton e përbashkët të samitit, Merkel kishte preferuar të mbante në krah presidentin e Kinës, Xi Jinping, duke spostuar aleatin historik të Gjermanisë, SHBA-të. Presidentin Donald Trump, kancelarja gjermane e kishte vendosur në fund të rreshtit dhe sikur të mos mjaftonte kjo, në krah i vendosi presidentin francez, Emmanuel Macron, sfiduesi më i madh i tij në Europë.

Merkel ishte kujdesur që të vinte pranë njëri-tjetrit Vladimir Putin dhe Rexhep Erdogan, dy miq dhe rivalë, që shpesh herë shfaqen si kërcënues të BE. Pas shpinës së saj, kancelarja preferoi të mbante kryeministrat e Japonisë dhe Australisë, dy aleatë të SHBA-së që vitin e fundit po largohen gjithnjë e më shumë nga Uashingtoni, duke u afruar me Brukselin.

Jo pak Merkel provokoi edhe kryeministren britanike, Theresa May-n, të cilën e vendosi në rresht të dytë, në krah të Donald Tusk, president i BE dhe Jean-Claude Juncker, president i Komisionit Europian, kritiku më i madh i ‘Brexit’ dhe aspak i pëlqyer në Londër.

Një mesazh i qartë u dha edhe për Italinë, pasi Paolo Gentiloni ndodhej në rreshtin e dytë nga fundit, ashtu siç ky shtet po vazhdon të paraqitet brenda Bashkimit Europian dhe Europës, jo pjesë e elitës drejtuese.

Ndërkohë, për përfaqësuesin e Arabisë Saudite, Mohammed Al-Jadaan, Merkel kishte rezervuar rreshtin e tretë, njësoj si për përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare. Berlini ka kritikuar ashpër Riadin për bllokadën që ka vendosur ndaj Katarit. /Politiko.al

Renditja, rreshti i parë: Franca, SHBA, Indonezia, Meksika, Afrika e Jugut, Argjentina, Gjermania, Kina, Rusia, Turqia, Brazili, Koreja e Jugut.

Rreshti i dytë: Guinea, Italia, Kanadaja, India, Japonia, Australia, Britania, BE.

Rreshti i tretë: OKB, Norvegjia, Senegali, Singapori, Spanja, Vietnami, Arabia Saudite.

Rreshti i katërt: Hollanda, organizata ndërkombëtare.

 

 

 

 

 

 

 

Të fundit