Meta e ka me Ramën? “Shantazhet më motivojnë për t’u shërbyer më mirë qëllimeve kombëtare”

Në intervistën për televizionin KTV në Kosovë, presidenti Meta rezeroi një mesazh të koduar edhe për kryeministrin Edi Rama. Pyetjes së gazetarit Sadri Imeri se “a mos po e shohin Presidentin si në aplikacion që shkarkohet në internet”, kreu i shtetit u përgjigj menjëherë duke thënë se ai jo vetëm që nuk shantazhohet, por se në raste të tilla ndihet më i motivuar për t’u shërbyer qëllimeve kombëtare”.

“Presidenti është institucion që, jo vetëm nuk shantazhohet, por përkundrazi është edhe më i motivuar për t’u shërbyer atyre qëllimeve kombëtare që ka për detyrë: të angazhohet dhe të mbrojë demokracinë e pluralizmin politik në vend në një situatë tërësisht anormale, po të kemi parasysh situatën në Parlament, situatën e fundit para dhe pas 30 qershorit, por njëkohësisht edhe faktin që vendi është pa institucionet kryesore të drejtësisë apo me institucione tërësisht tranzitore dhe të kontestuara.Pra kur vendi është në situatë dëshpëruese”, sqaron Meta.

Për krizën politike, shprehet se mund të zgjidhet nëse palët reflektojnë, por shton se edhe tani është shumë vonë dhe se pasojat do të jënë të tmerrshme.

“Megjithatë, unë kam bindjen që kjo situatë me një reflektim më të gjerë të të gjithë shoqërisë dhe me një reflektim të të gjithë palëve, duke filluar tashmë nga opozita, do të mund të ecë në drejtimin e duhur, megjithëse me shumë vonesë dhe me kosto të tmerrshme”, sqaroi Meta.