Flash News
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Meta flet pas autorizimit të Bushatit për marrëveshjen e detit: Proces solid, negociatori i ri i mirëpritur
Presidenti Ilir Meta ka folur një ditë pasi ka autorizuar plotfuqishmërinë për ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, për të nisur punën për ndarjen e detit me Greqinë.
I pyetur nga gazetarët, Meta tha se ky është një proces solid nga pikëpamja kushtetuese.
“Besoj se u bë një punë e konsiderueshme. Kemi realizuar një bashkëpunim të dobishëm dhe mendoj se është një proces solid nga pikëpamja kushtetuese Shqipëri- Greqi”, u shpreh Meta.
Presidenti foli edhe për negociatorin e ri të grupit të punës, Ksenofon Krisafin. “Është pozitiv dhe i mirëpritur. Mendoj se është një person i duhur pasi ka mjaft eksperiencë me negociatat”, u shpreh Meta.
Kush është Ksenofon Krisafi
Ksenofon Krisafi është pjesë e grupit negociator, bashkë me Bushatin dhe Artur Meçollarin do të jetë dhe eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, pjesë e grupin negociator dhe me Italinë.
Është diplomuar si jurist në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike të Universitetit të Tiranës në vitin 1969. Ai ka fituar gradën shkencore «Doktor» në vitin 1993.
Karrierën e tij të gjatë profesionale, Prof. Krisafi e ka filluar si punonjës shkencor në Sektorin Shkencor të Fakultetit të Shkencave Politike e Juridike të Universitetit të Tiranës, ku ka punuar për mëse 12 vjet.
Më pas, për gati 10 vjet deri në vitin 1993, ai do të atashohej pranë Ministrisë së Jashtme, fillimisht si përgjegjës i Byrosë Juridike, jurist e pastaj drejtor i Drejtorisë së Çështjeve Juridike e Konsullore dhe Traktateve Ndërkombëtare.
Aktiviteti në Ministrinë e Jashtme do të vazhdonte më tej në vitet 1998-2002, me detyrën e ambasadorit dhe përfaqësuesit të përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë zyrave të OKB-së dhe të OBT-së në Gjenevë.
Gjatë veprimtarisë së tij në shërbimin diplomatik ka marrë pjesë në dhjetra konferenca ndërkombëtare apo në takime dy e shumëpalëshe, me cilësinë e anëtarit apo kryetarit të delegacionit. Prof. Krisafi ka gjithashtu një veprimtari të zgjeruar pedagogjike e akademike.
Që prej vitit 1971 e deri më sot ai është lektor i së drejtës ndërkombëtare publike në Fakultetin e Drejtësisë, në degën e Gazetarisë dhe në kurset pasuniversitare të Diplomacisë dhe të Tregëtisë së Jashtme pranë Universitetit të Tiranës.
Veprimtaria kërkimore e studimore e tij regjistron një listë të pasur shkrimesh, artikujsh, studimesh, punimesh e kumtesash të paraqitura në konferenca e kolokiume shkencore kombëtare e ndërkombëtare, si dhe librash e tekstesh universitare.
Kurikula e tij akademike kulmon me ngjitjen ne vitet 1997-1998 ne postin e dekanit te Fakultetit Juridik te Universitetit te Tiranës, marrjen e titullit « Profesor » në vitin 2004 dhe akordimin e titullit Doktor Honoris Causa nga Universiteti Sanctii Cirili i Maltës.
Ajo perfshin edhe një numër të konsiderueshëm leksionesh të dhëna në universitete të huaja si në Sorbonë (Paris), në Gjënevë, Universitetin La Sapienza të Romës, në universitetet e Barit, Sasarit, Foggias (Itali), në Universitetin Katolik të Luvenit (Belgjikë), Universitetin «Aristotelius» të Selanikut, Universitetin Pantion të Athinës, Universitetin e Upsalës (Suedi), në atë të Prishtinës etj.
Prof. Krisafi ka qenë i angazhuar në një sërë bordesh drejtuese të organizmave e institucioneve të ndryshme, si për shembull : anëtar i Këshillit Shkencor të Akdademisë Diplomatike të MPJ (2005), anëtar i Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë të Këshillit të Europës (2005), anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Qendrës Ndëruniversitare për Kërkime në Evropën Lindore dhe Juglindore (2003), anëtar themelues dhe anëtar i Bordit Drejtues të Qendrës së Studimeve Ekonomike e Sociale (1998), si dhe anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit e i Bordit Drejtues të tij (1995-98), i Bordit Drejtues të Shoqatës «Për kulturë juridike» (1997-98), i Bordit Drejtues të Fondacionit «Integrimi urban» (1997-98) etj.
Në periudhën 2002-2005, ai ka punuar pranë Këshillit të Ministrave si Sekretar i Përgjithshëm e këshilltar diplomatik i Kryeministrit. Nga shtatori i vitit 2005 deri në tetor të vitit 2006 ka qenë anëtar dhe Drejtor Ekzekutiv i Komisionit të Letrave me Vlerë.
Po ashtu dhe profesor dhe Dekan i Fakultetit juridik në Universitetit Europian të Tiranës. Flet frëngjisht, anglisht, rusisht dhe italisht. Krisafi ka qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nga viti 2004.