Meta i jep nënshtetësinë shqiptare Imzot Frendos

Presidenti Ilir Meta i ka dhënë nënshtetësinë shqiptare Arqipeshkëvit Metropolit të Tiranë–Durrësit, Imzot George Anthony Frendo.

Njoftimin e ka bërë vetë Meta në rrjetin social Facebook teksa thotë se ky dekret u dha pikërisht në 25-vjetorin e vizitës së paharruar dhe historike të Papa Gjon Palit II në Shqipëri.

“Të dashur miq, sot në 25-vjetorin e vizitës së paharruar dhe historike të Papa Gjon Palit II në Shqipëri, pata nderin dhe privilegjin t’i akordoj Arqipeshkëvit Metropolit të Tiranë–Durrësit, Imzot George Anthony Frendo, dhënien e shtetësisë shqiptare, duke vlerësuar kontributin dhe veprimtarinë e tij të spikatur, prej më shumë se 20 vitesh, në ringjalljen e besimit dhe forcimin e harmonisë fetare në vendin tonë. Faleminderit përzemërsisht Imzot Prendo për gjithçka keni bërë për komunitetin katolik, por jo vetëm! Urime! Zoti ju bekoftë ju, Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar!”, shkruan Meta në rrjetin social Facebook.