Flash News

KRYESORE

Meta letër Kuvendit: Shkarkimi im proces politik, do të vendos sipas situatës në interes të popullit

Presidenti i Republikës Ilir Meta iu përgjigj Kryetarit të Komisionit të Çështjeve Ligjore në Kuvend, Ulsi Manja, në lidhje me dekretin që ai nxori, që anulonte mbajtjen e zgjedhjeve vendore me 30 qershor.

Sipas sekretares së Përgjithshme të institucionit, Ornela Zonja, “dekreti është botuar në Fletoren Zyrtare dhe për pasojë është i njohur dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë përfshi këtu edhe Kuvendin.”

Lidhur me nismën e ndërmarrë në Kuvend nga PS, për shkarkimin e Presidentit të republikës, në letër thuhet se Meta vlerëson se e gjithë veprimtaria aktuale parlamentare është një proces i rremë, i pambështetur në argumente kushtetues, por vetëm i orientuar verbërisht e politikisht.

“Ky proces i i rremë dhe verbërisht politik, nuk i shërben aspak zgjidhjes së krizës së thellë në të cilën ndodhet vendi, por përkundrazi e rëndon më tepër atë, si një përpjekje e shfrenuar për të thelluar ndasitë midis palëve dhe për të asgjësuar çdo mundësi për krijimin e klimës së dialogut e bashkëpunimit që Presidenti i Republikës, prej kohësh po i kërkon palëve” citohet në kthim përgjigjen e Presidencës .

Në vijim të shkresës, Presidenti i Republikës garanton Kuvendin se është në detyrë dhe i gatshëm që me përgjegjësi të plotë të ndërmarrë të gjitha vendimet e rëndësishme që do të diktojë situata dhe interesi më i mirë i vendit, ndërsa bashkëngjitur janë edhe arsyet e se përse Kreu i Shtetit nxori dekretin që anulon zgjedhjet e 30 qershorit, pasi në këndvështrimin e Presidentit të Republikës, konstaton se Komisioni i Ligjeve nuk është njohur si duhet me to.

Letra

Të fundit