Flash News

KRYESORE

Meta në Tropojë, ngre Berishën në piedestal për ‘Rrugën e Kombit’, e rrëzon për hec-et në Valbonë

Meta në Tropojë, ngre Berishën në piedestal për

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Bajram Currit ku është takuar me qytetarë të shumtë dhe zyrtarë vendas. Ai ka vlerësuar rolin e Tropojës për lirinë dhe pavarësinë, indentitetin dhe dinjitetin kombëtar të shqiptarëve.

“Tropoja përbën një epos plot histori dhe personalitete që i kanë dhënë shumë kombit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë, për indentitetin dhe dinjitetin kombëtar, për politikën dhe diplomacinë, për arsimin dhe shkencën, për artin dhe kulturën. Kjo, sepse tropojanët kanë qenë gjithmonë të shqetësuar për fatet e Shqipërisë e të shqiptarëve. Tropojanët u gjenden dhe kontribuan në Lidhjen e Prizrenit, në Lidhjen e Pejës, në Lidhjen e Junikut, në Kuvendin e Vlorës, në Konferencën e Bujanit e në çdo ngjarje”, ka deklaruar presidenit.

Meta ka ngritur në piedestal figurën e ish-kryeministrit Sali Berisha sa i përket ndikimit në ndërrimin e sistemve në Shqipëri dhe ndërtimin e ‘Rrugës së Kombit’.

“Jam sot këtu për t’u përkulur me respekt e mirënjohje të veçantë ndaj veprës së Azem Hajdarit, udhëheqësit të ‘Lëvizjes Studentore’. Nuk duhet të harrojmë se dy udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes Demokratike si Azem Hajdari, ashtu edhe Sali Berisha ishin nga Tropoja. Nuk duhet të harrojmë se pa vendimmarrjen dhe vendosmërinë e Sali Berishës edhe sot, Rruga e Kombit nga Tirana në Prishtinë mund të mos ishte bërë dhe shqiptarët do të vazhdonin të udhëtonin drejt njëri-tjetrit përmes Maqedonisë”, ka thënë Meta.

Por Ilir Meta ka rrëzuar Berishën sa i përket vendimit për të lejuar ndërtimin e hidrocentraleve në luginën e Valbonës.

“Këto Bjeshkë, dikur të quajtura të ‘Nëmura’ duhet të punojmë që të quhen ‘Të bekuara’. Të ruajmë si sytë natyrën e Bjeshkëve, pyjet, kullotat, florën dhe faunën, ujrat, përrejtë dhe lumejtë. Ekosistemi i Bjeshkëve të Veriut është një nga pasuritë më të mëdha natyrore e turistike të popullit shqiptar. Këtë ekosistem duhet ta ruajmë me çdo mjet nga projektet e nxituara, të pamenduara, të shtyra nga politikat ditore po edhe interesat e çastit. Tropoja është një trevë e jashtëzakonshme thesari kulturor kombëtar. Zoti e bekoftë këtë vend të mrekullueshëm dhe popullin e mrekullueshëm të Tropojës”, është shprehur Meta.

Të fundit