Meta pret në zyrë ekipin e mjekëve dhe infermierëve të ardhur nga Italia: Shqiptarët s’e harrojnë këtë solidaritet vëllazëror

Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim ekipin e mjekëve dhe infermierëve të ardhur nga Italia për të trajnuar strukturat tona shëndetësore me qëllim arritjen e rezultateve më efektive në luftën me pandeminë e rrezikshme COVID-19.

Pasi u njoh me asistencën konkrete të ofruar prej tyre për stafet mjekësore të spitaleve COVID 1, COVID 2 dhe spitalin e Shkodrës, Meta theksoi se shkëmbimi i eksperiencave dhe thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh kundër pandemisë, kësaj sfide të përbashkët, është mëse i domosdoshëm, me qëllim rikthimin sa më parë në normalitet.

Kreu i Shtetit e falenderoi me mirënjohje ekipin e mjekëve dhe infermierëve italianë për ndihmën e ofruar në këto momente të vështira, dhe u shpreh se “shqiptarët nuk do t’i harrojnë kurrë sakrificat dhe këtë solidaritet vëllazëror, që e forcon edhe më shumë marrëdhënien e shkëlqyer midis dy vendeve e popujve tanë.”

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci.