Meta: Rama donte të bënte një reformë në drejtësi pa opozitën për të kapur sistemin

Duke folur për reformën në Drejtësi Meta në “ Debati në Channel One” u shpreh se Rama donte të bënte një reformë në drejtësi pa opozitën, me qëllim kapjen e plotë të sistemit të drejtësisë, në kundërshtim edhe me rekomandimet e Komisionit të Venecias, dhe arriti të manipulonte edhe shumë ndërkombëtarë, por padyshim që dështoi për arsye se…

Ai thotë se halli më i madh i Ramës dhe Bashës është rritja e LSI-së.

Meta, sot mbushen 1 muaj e 9 ditë që jeni zgjedhur President i Republikës. Si ka ndryshuar jeta juaj? Si ka qenë jeta juaj në këto 1 muaj e 9 ditë?

Jeta ime nuk ka ndryshuar aspak, për arsye se unë jam thjesht i zgjedhur për të qenë President i ardhshëm i Shqipërisë, për shkak të procedurave që qëlluan në këtë vit përpara zgjedhjeve të përgjithshme. Ishte një moment i rrallë nga aspekti i procedurave kushtetuese. Kështu që unë kam qenë ai që kam qenë gjithmonë edhe gjatë këtij muaji. Nuk e di se çfarë do të ndryshojë pas datës 24 korrik, por natyrisht do të bëj gjithçka që të respektoj përgjegjësitë dhe statusin e Presidentit në datën 24 korrik dhe në të ardhmen.

Ju nuk e keni nisur akoma detyrën e Presidentit, por politika ju cilëson si president dhe keni shumë akuza, apo kritika për detyrën e presidentit. Një nga këto kritika ka qenë, jo vetëm nga Kryeministri Rama, i cili ka thënë: “Për shkak të boshllëkut të ligjit, unë nuk do ta bëj atë, por z. Meta e bën që merr pjesë në fushatë”. Më i egër akoma ka qenë dhe kandidati për deputet i PD-së në Shkodër, Romeo Gurakuqi, një profesor, i cili ka kërkuar shkarkimin tuaj, sepse keni shkelur ligjin dhe Kushtetutën…

Unë e kuptoj hallin e të dy zotërinjve që ju sapo përmendët. Z. Rama natyrisht që nuk është personi më i duhur për të dhënë rekomandime rreth sjelljes institucionale, pasi ka 4 vjet që si Kryeministër nuk duhet të bënte shumë e shumë gjëra. Pastaj nuk ia vlen të merrem me kandidatët e Henri Çilit në listën e Partisë Demokratike.

 

Ai është profesor, z. Meta….

E di, e di. Për arsye, sepse jo vetëm që nuk e kanë haberin e Kushtetutës, por edhe kuptohet se janë të shqetësuar për mesazhet e mia, të cilat mendoj se kanë qenë në përputhje me vetë dinamikën e ngjarjeve.

Dhe të mos harrojmë që edhe si President i ardhshëm askush të mos presë nga Ilir Meta, se Ilir Meta do të jetë një President që do të qëndrojë në Presidencë. Do të bëjë me përgjegjësi maksimale detyrat e tij, por në fund fare padyshim që do të thotë gjithmonë fjalën e tij në interes të të gjithë shqiptarëve, në radhë të parë, edhe në interes të demokracisë.

Meta, ju merrni detyrën në datën 24 korrik, por në këtë periudhë dhe më vonë, që duhet të kalojnë 5 vjet, nuk do të jeni pjesë e strukturave të LSI-së. Si mendoni ju, si është LSI-ja pa Ilir Metën kryetar?

LSI-ja pa dyshim që do të vazhdojë procesin e vet dinamik, të pashmangshëm, një rritje eksponenciale, e cila tashmë ka ndodhur dhe do të vijojë, për arsye se LSI-ja ndryshe nga 2 forcat e tjera politike, që merren shumë me LSI-në çuditërisht, pa dyshim që ka një dallim të madh, sepse është partia më e strukturuar, edhe pse është një parti e re.

Nuk është një parti e trashëguar as nga e kaluara. Në fakt po t’i shikosh me vëmendje të dyja këto parti janë parti të trashëguara nga e kaluara, të trashëguara nga periudha e regjimit komunist. Partia Socialiste si një parti, e cila ishte vazhduese e Partisë së Punës dhe Partia Demokratike e cila u krijua si një reaksion ndaj pasojave të drejtimit të Partisë së Punës. Natyrisht duke qenë dy parti të tilla me struktura të trashëguara, apo të gatshme pa u lodhur, duke i pasur këto struktura, natyrisht shohin me shqetësim dhe me çudi se si një parti e re mund të krijohet dhe jo vetëm të konkurrojë me ato, por edhe të pretendojë të jetë forcë e parë dhe fituese e zgjedhjeve që po vijnë.

Kështu që në këto kushte mund të them se suksesi i LSI-së ka qenë se ka marrë traditën më të mirë në Partinë Socialiste, ku unë kam qenë në një moshë shumë të re. Pra, frymën e solidaritetit, të kolegjialitetit, të punës në ekip, të respektimit të forumeve dhe sot është partia më e organizuar në të gjithë Shqipërinë, është partia më e hapur, më gjithëpërfshirëse edhe më demokratike. Kjo është baza e fuqisë së saj.

Dhe tjetra, investimi kryesor i LSI-së te rinia, që në ditët e para të themelimit të saj, tashmë ka dhënë rezultate spektakolare. Domethënë rinia në mënyrë dërrmuese është me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe kjo është fuqia më e madhe.