Flash News

KRYESORE

Meta, Ruçi dhe Basha përshëndesin marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë

Meta, Ruçi dhe Basha përshëndesin marrëveshjen mes

Pas marrëveshjes së nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, kanë ardhur reagimet e para nga krerët e politikës shqiptare.

Presidenti i Republikës Ilir Meta e ka quajtur një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes të dy vendeve, në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë.

"E përshëndes nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, të negociuar nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit Trump!

Një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes të dy vendeve, në funksion të paqes e stabilitetit në rajonin tonë!" shkruan Meta në rrjetet sociale.

Ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha shpreh besimin se kjo marrëveshje do të përbëjë një hap të rëndësishëm drejt njohjes reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

“Personalisht dhe në emër të Partisë Demokratike përshëndes marrëveshjen e arritur mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. Një falenderim të veçantë për Presidentin Trump dhe SHBA, për vëmendjen dhe përkushtimin ndaj Kosovës dhe Ballkanit. Shpreh shpresën dhe besimin se kjo marrëveshje do të përbëjë një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke i kontribuar kështu paqes, stabilitetit dhe integrimit Euro-Atlantik të rajonit”, shkruan Basha.

Kreu i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi e ka quajtur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë një sukses me rëndësi historike që do të çojë drejt marrëveshjes politike dhe njohjes së ndërsjelltë përfundimtare midis të dy vendeve. Ndërkohë që i shpreh mirënjohje dhe presidentit të ShBA-së Donald Trump.

“Nënshkrimi i marrëveshjes ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është një sukses me rëndësi historike. Marrëveshja ekonomike është fillimi i një procesi, i cili do të çojë drejt marrëveshjes politike dhe njohjes së ndërsjelltë përfundimtare midis të dy vendeve. Kjo marrëveshje është një garanci më shumë për zhvillimin, paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Mirënjohje Presidentit Donald Trump për lidershipin vizionar dhe efektiv si edhe ekipit negociator të Shtëpisë së Bardhë për persistencën dhe eficencen.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Të fundit