Flash News

KRYESORE

Meta shkarkon Bushatin, dekreton Edi Ramën si ministër të Jashtëm

Meta shkarkon Bushatin, dekreton Edi Ramën si ministër të

Kryeministri Edi Rama do të jetë nga sot edhe ministri i ri i Jashtëm.

Presidenti Ilir Meta ka vendosur që sot të dekretojë shkarkimin e Ditmir Bushatit dhe dekretimin e Ramës si ministri i Jashtëm.

Vendimi zgjidh ngërçin e krijuar prej ditësh mes Ramës dhe Metës, pas refuzimit nga ana e presidentit për dekretimin e Gent Cakajt në postin e ministrit.

"Presidenti ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare", thuhet në njoftimin e presidencës.

Njoftimi i plotë:

Presidentit të Republikës më datë 14 janar 2019, i është paraqitur propozimi i ri për emërimin e z. Edi Rama, Kryeministër edhe në funksionin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Emërimi i Kryeministrit edhe në detyrën e Ministrit është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Presidenti i Republikës vlerësoi këtë propozim në përputhje me frymën që përcjell Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë një interpretim të zgjeruar dhe fillestar të dispozitave kushtetuese, si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që, ushtrimi i detyrës së Ministrit nga Kryeministri është një veprimtari shtetërore që shtrihet brenda sferës ekzekutive pjesë e kabinetit qeveritar, struktura e të cilit është në të drejtën e Kryeministrit për t’u propozuar. Në shqyrtimin e këtij propozimi Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 93 dhe 98 pika 1 të Kushtetutës, sot më datë 18.01.2019, ka vendosur me Dekret që : Z.Ditmir Bushati ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, shkarkohet nga kjo detyrë dhe zoti Edi Rama, Kryeministër, emërohet edhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Të fundit