Flash News

KRYESORE

Meta takohet me shqiptarët e Egjiptit: Do zgjerojmë bashkëpunimin

Meta takohet me shqiptarët e Egjiptit: Do zgjerojmë bashkëpunimin

Gjatë vizitës zyrtare në Egjipt, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u takua me përfaqësues të komunitetit të vjetër e të ri shqiptar të Egjiptit.

Presidenti Meta vlerësoi kontributin e spikatur që ky komunitet ka dhënë, sidomos gjatë periudhës së Rilindjes, si për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare, ashtu edhe për arritjen e pavarësisë së Shqipërisë.

Duke u ndalur në miqësinë e hershme midis dy popujve, Presidenti Meta, nënvizoi se një rol shumë të madh luan dhe komuniteti aktual, që vazhdon në traditën më të mirë të ruajtjes dhe promovimit të miqësisë e bashkëpunimit midis dy vendeve.

“Shqipëria dhe Egjipti, ndajnë kulturë, histori dhe miqësi, që duhet ta forcojmë dhe zgjerojmë edhe më shumë në të ardhmen. Ju mund të luani një rol shumë të madh në këtë drejtim” – nënvizoi Presidenti Meta.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e komunitetit shqiptar, shprehën gëzimin për vëmendjen e treguar nga Presidenti Meta dhe shprehën besimin se shteti shqiptar do t’i mbështesë më shumë në të ardhmen për ruajtjen dhe promovimin e identitetit të tyre kombëtar në Egjipt.

Për takimin, presidenti Meta ka publikuar edhe një status në ‘Facebook’: “Shumë i lumtur të takoja në Kajro, Erik Adam, nipin e patriotit tonë të shquar Thimi Mitko, i cili më dhuroi Statutin e Bashkësisë Shqiptare në Egjipt të vitit 1929, zonjën Vera Zogu mbesën e mbretit Zog, si edhe shumë bashkëatdhetarë, përfaqësues të komunitetit shqiptar të vjetër e të ri në Egjipt. Krenar dhe mirënjohës për kontributin e tyre, jo vetëm për historinë e Egjiptit por edhe për çështjen shqiptare!”

Meta u takua më herët edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta e përgëzoi Gheit për zhvillimin me sukses të Samitit të parë mes Ligës Arabe dhe Bashkimit Europian, duke hapur një kapitull të ri për bashkëpunimin në të ardhmen.

"Si vend kandidat për në Bashkimin Europian dhe si vend mik me vendet e Ligës Arabe, Shqipëria është shumë e interesuar që ky bashkëpunim të forcohet gjithnjë e më shumë", – u shpreh Presidenti Meta.

Të fundit