Flash News

KRYESORE

Meta takon Junker: Të gjitha forcat politike ndajnë të njëjtin synim për integrimin e Shqipërisë në BE

Meta takon Junker: Të gjitha forcat politike ndajnë të

Kreu i shtetit, Ilir Meta, në takimin që zhvilloi me Presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, e vlerësoi si shumë të rëndësishme dhe inkurajuese vizitën për Shqipërinë. Gjatë takimit,  Meta evidentoi faktin se të gjitha forcat politike parlamentare ndajnë të njëjtin synim madhor për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE, dhe bashkohen në dëshirën për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit. Kreu i Shtetit shpreson se falë përpjekjeve të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, vendet anëtare do të binden për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë gjatë Presidencës Bullgare, gjatë këtij 6-mujori.

Duke theksuar rëndësinë që ka zbatimi i reformave në 5 prioritetet kyçe, Presidenti vlerësoi se rezultatet janë ato që do të rrisin besueshmërinë si te qytetarët shqiptarë ashtu edhe tek vendet anëtare të BE-së.

Duke u ndalur te zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, Meta inkurajoi heqjen sa më parë të regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, me besimin se Marrëveshja për Demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi do të përmbyllet së shpejti me sukses.

Presidenti Meta ndau të njëjtën bindje mbi rëndësinë që ka forcimi i rolit stabilizues të Shqipërisë në rajon. Presidenti i Republikës siguroi se mbetet konseguent në rolin e tij konstruktiv dhe të dobishëm për përparimin e marrëdhënieve dypalëshe me të gjitha vendet e rajonit, duke nënvizuar rëndësinë që ka frenimi dhe dekurajimi i politikave populiste në dëm të proceseve integruese dhe atyre të paqes në Ballkanin Perëndimor.

Të fundit