Flash News

OP-ED

Metoda të reja të bisedimeve me BE: Shërbim Makronit apo ndoshta diçka më shumë

Metoda të reja të bisedimeve me BE: Shërbim Makronit apo ndoshta

Bodo Weber/ Deutsche Welle

 Komisioni Europian propozoi metoda të reja për bisedimet me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ky duket se është një lëshim i presidentit francez Emanuel Makron, por gjithsesi nuk e zgjidh problemin.

Me pesë shkurt Komisioni i ri Europian paraqiti propozimin për reformën e politikës së zgjerimit, ose më saktë, metodologjinë e bisedimeve për antarësim me vendet e Ballkanit Perëndimor. „Reforma“ u bë e nevojshme pas bllokadës totale të procesit të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nga ana e presidentit francez Emanuel Makron. Dokumenti i paraqitur përmban elementë befasisht pozitivë që mund të shpien drejt gjallërimit të ndjeshëm të politikës së zgjerimit të BE-së.

Me më shumë vendosmëri sesa në këto vitet e fundit, BE-ja shprehet në mënyrë të argumentuar për zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor. Në të, për herë të parë, shprehet qartë bindja se politika e zgjerimit është mjet i fuqishëm për nxitjen e demokracisë dhe se kushtëzimi për reformat është mjeti kryesor i kësaj politike. Për herë të parë përmenden në mënyrë eksplicite mundësitë e sanksionimit të mangësive në reforma. Komisioni propozon se nuk nevojitet shumica e kualifikuar për aprovimin e sanksioneve, por përkundrazi, nevojitet shumica e kualifikuar për të penguar vënien e sanksioneve. Kjo është risi në raport me politikën e deritanishme të zgjerimit e cila bazohej në parimin e vendimeve me unanimitet.

Dhe, përfundimisht, Komisioni flet për herë të parë për komunikimin direkt të BE-së me qytetarët dhe qytetaret e Ballkanit Perëndimor që janë mbështetësit kryesorë të euro-integrimit. Këtë komunikim Komisioni e vë si kusht për procesin e zgjerimit.

Por, gjithsesi nuk duhet ngritur euforia rreth këtij propozimi të Komisionit. Sepse ai është vetëm reaksion i detyruar ndaj problemit që ekziston në të vërtetë, ose me të cilin është vepruar gabim: Bllokada e plotë e Makronit për zgjerimin është shembull i politikës së papërgjegjshme europiane. I papërgjegjshëm ishte momenti në të cilin u kërkua reforma e politikës së zgjerimit- atëherë kur Makroni dy herë imponoi shtyrjen e vendimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. I përpërgjegjshëm ishte edhe thelbi i vetë kërkesës- fillimisht reforma e brendshme në BE, e vetëm pastaj vazhdimi i procesit të zgjerimit. Më në fund, e papërgjegjshme ishte edhe kritika e pasaktë e Makronit ndaj procesit të deritanishëm të zgjerimit. Kjo është pasojë e dezinteresimit tradicional francez ndaj politikës së zgjerimit në Ballkanin Perëndimor- rajon nga i cili Franca është tërhequr prej disa dekadash. Nga ky dezinteresim rrodhi edhe mbështetja e rrezikshme e Makronit për idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Propozimi i Komisionit është përpjekje për të zvogëluar dëmet për Ballkanin Perëndimor, por edhe për t’i ruajtur fytyrën Makronit. Futja e nxitjeve ekonomike shtesë është zvogluar ndjeshëm. Eksperienca ka treguar se mjetet financiare shtesë për qeveritë e Ballkanit Perëndimor janë mjet joefikas. Sepse në vendet e rajonit ekonomia është kryesisht edhe më tej nën kontrollin e politikës udhëheqëse. Interesat afat shkurtër korruptive të fuqisë dominojnë mbi nevojat ekonomike kombëtare.

Megjithatë, as dokumenti zyrtar francez dhe as propozimi i Komisionit Europian, nuk analizojnë shkaqet e prapambetjes aktuale në procesin e zgjerimit. Propozimi i Komisionit Europian nuk prek problemin thelbësor të politikës së zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Nuk është metodologjia e kësisoj, zgjidhja nuk mund të jetë ndryshimi i metodologjisë. Problemi thelbësor është mungesa e dëshirës politike në BE, institucionet e Brukselit dhe dhe shteteve antarë që të përdorin me koherencë instrumentat ekzistues. Edhe përkundër dezinteresimit për rajonin, Makroni e quajti këtë problem politik me emrin e duhur, për nuk e përqendrua në zgjidhjen e tij.

Dokumenti i ri dhe pozicionimi i ri i BE-së ndoshta do të mundësojë heqjen e bllokadës së Makronit për fillimin e bisedimeve për antarësim me Shkupin dhe Tiranën, por çështja vendimtare është nëse ai mund të jetë pikë kthese në politikën e zgjerimit.

Sepse para së gjithash mbetet e pazgjidhur nyja e tërë kësaj historie: konflikti për të ardhmen e BE-së, në radhë të parë mes Francës dhe Gjermanisë. Pa përgjigje mbeten edhe dy pyetje parimore: çfarë BE-je duam- union politik apo bashkësi ekonomike? Dhe e dyta: ku përfundon Europa?

*Përktheu për Politiko: Xhelal Fejza

 

 

Të fundit