Metodikë dhe shprehi të njëjta, Duka ngjan kaq shumë me Ramën

E keni vënë re se sa shumë po i ngjan Armand Duka kryeministrit Edi Rama? Sidomos kohët e fundit, meqë ka nisur dhe “punën e ëmbël” të ndërtimeve. Thuajse të gjithë biznesmenët e këtij vendi ëndërrojnë t’i afrohen pushtetit dhe presidenti i FSHF-së këtë ka bërë – si shumë e shumë miq të tij – por ngjashmëria ndërmjet tij dhe kreut të qeverisë kohët e fundit është bërë tejet e dukshme.

Madje, paksa e frikshme…

Duke u bazuar në intervistën më të fundit të tij në emisionin “Presing” të “ABC News”, një ditë pas ndeshjes Shqipëri-Francë në stadiumin e sapondërtuar, “Air Albania”, kuptojmë se Duka nuk ka asgjë më pak se Rama në fushën e tij. Sillet njëlloj, shprehet njëlloj dhe sheh nga e ardhmja njëlloj. Le të japim disa shembuj të shkurtër të këtij “binjakëzimi” qasjesh.

“Ju thoni se stadiumi ka 100 probleme, unë them 1000”, u shpreh të hënën presidenti i FSHF-së, pas disa ngacmimeve nga dy moderatorët e emisionit. “Ju thoni se Bundestagu na ka dhënë 9 kushte, por jo. Aty ka 900 kushte”, shprehej para një muaji kryeministri. Pra, nëse Rama përpiqet t’i zmadhojë edhe gjërat negative në favor të tij, për t’i vënë në funksion të artit të tij të demagogjisë, pikërisht këtë bën edhe Duka. Ai e pranon hapur se stadiumi i ri nuk është aq i përkryer sa shitet, por iu del kritikave me gjoks përpara dhe paralajmëron se ai i di të gjitha. Përgjigje tipike kur dëshiron t’i shmangesh problemit. Thjesht përdor një kamuflim të vogël dhe kapërcen në pyetjen tjetër. Mjeshtëri, sigurisht.

Kalojmë te mediat. Si Rama, edhe Duka nuk i duron gazetarët që shkruajnë kundër tij. Nuk honeps dot askënd që i del kundër, qoftë edhe njerëzit e zakonshëm. Në intervistën e tij në “ABC News”, ai kundërsulmoi personat që shkruajnë nga Facebook, duke përmendur fillimisht zv/kryeministrin Erion Braçe. Nëse Rama i quan mediat “kazan”, Duka i përmbledh në “Fejsbuqe”.

Një fjali e tij në emision ishte mjaft interesante: “Dikush thotë mos shit emrin, dikush thotë mos shit biletat, dikush thotë mos shit të drejtën televizive. Nëse i bëjmë këto pa para, le të na japin shkopin magjik”. Fjali të tilla Rama i thotë shpesh. Janë thuajse identike. “E dini ju sa ka vuajtur familja ime nga sulmet e këtyre? Një herë gruaja, një herë droga, një herë kjo e ajo. E tmerrshme”, shprehej ai një herë. Pra, të dy e shfaqin veten sikur po sulmohen nga të gjithë dhe se të tjerët nuk e dinë se sa shumë punojnë ata.

I pyetur nëse do t’i lërë vendin dikujt tjetër në kolltukun e kreut të FSHF-së, Duka sërish dha një përgjigje “alla Rama”. Ai u shpreh se nuk sheh ndonjë burrë më të mirë se ai në rolin e presidentit dhe se do të mirëpriste kandidimin e një femre. Pra, ai e vizaton veten si të pamposhtshëm dhe do të ishte i hapur për ndonjë show, jo gara reale. Edhe Rama kështu përgjigjet gjithmonë. “Nuk ka më të mirë se ne. Jemi më të mirët e mundshëm. Nuk jam ideali, por më të mirë se unë nuk ka”, thotë ai, duke iu referuar edhe faktit se nuk ka opozitë të fortë.

Nëse para disa vitesh kryeministri thoshte se do të largohej shpejt nga politika, së fundmi po i ndryshon mendimet dhe nuk e ka problem të ndërrojë jetë duke hedhur firma në zyrën e Kryeministrisë. Duka, ndërkohë, theksoi se ka “administratën më të mirë”, edhe pse shumë herë kritikohet se punonjësit e tij nuk të kryejnë punë dhe ngjajnë me ata të administratës publike.

Me pak fjalë, politika dhe sporti shqiptar kanë dy shefa, të cilët nuk kanë ndërmend t’i shkulin rrënjët nga kolltuku. Populli dhe sportdashësit, ndërkohë, ankohen vetëm në errësirë, me qirinj ose drita të celularëve në stadium, kur nuk i sheh kush. Kur shefat e mëdhenj janë përballë, nuk e hapin gojën. I vetmi kanal i hapur janë rrjetet sociale, ato që dyshja e lartpërmendur urren dhe përdor më shumë.

Ore, si i gjindet ana Mark Zuckerbeg-ut?

______________________________
Shënim i Redaksisë së Sportit