Michel Houellebecq analizon Amerikën: Donald Trump është president i mirë

Michel Houellebecq/  Harper Magazine

Të jem krejt i sinqeritetë, më pëlqejnë shumë amerikanët. Unë kam takuar shumë njerëz të shkëlqyer në Shtetet e Bashkuara, dhe e ndjej turpin që shumë amerikanë (dhe jo vetëm “intelektualët e New York-ut”) ndjejnë para faktit se kanë një klloun kaq të padurueshëm si udhëheqës.

Sidoqoftë, më duhet të pyes – dhe e di se çfarë kërkoj nuk është e lehtë për ju – që t’i konsideroni gjërat për një moment nga një këndvështrim jo-amerikan. Nuk po them “nga një këndvështrim francez”, gjë që do të ishte e tepërt; le të themi, “nga këndvështrimi i pjesës tjetër të botës”.

Në rastet e shumta kur jam pyetur në lidhje me zgjedhjen e Donald Trump, jam përgjigjur se nuk më plas fare. Franca nuk është Wyoming apo Arkansas. Franca është një vend i pavarur, pak a shumë, dhe do të bëhet plotësisht i pavarur edhe një herë, kur Bashkimi Europian të shpërbëhet (sa më shpejt, aq më mirë).

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë më fuqia udhëheqëse e botës. Ishin për një kohë të gjatë, për thuajse të gjithë rrjedhën e shekullit XX. Jo më.

Mbeten një fuqi e madhe, një ndër disa.

Ky nuk është domosdoshmërisht një lajm i keq për amerikanët.

Eshtë lajm shumë i mirë për pjesën tjetër të botës.

 

Përgjigjia ime është paksa e ekzagjeruar. Njeriu e ka për detyrim të vazhdueshëm  të ketë të paktën një modul interesi në jetën politike amerikane. Shtetet e Bashkuara janë ende fuqia kryesore ushtarake në botë dhe, për fat të keq, ende nuk e ka prishur zakonin e ndërhyrjes përtej kufijve të vet. Unë nuk jam historian, dhe nuk di shumë rreth historisë antike – për shembull, nuk mund të them nëse Kennedy apo Johnson ishte më shumë fajtor për aferën e turpshme të Vietnamit – por kam përshtypjen se ka qenë bukur kohë e gjatë qëkur Shtetet e Bashkuara fituan për herë të fundit një luftë, dhe që për të paktën pesëdhjetë vjet ndërhyrjet e saj të huaja ushtarake, qoftë publike apo klandestine, nuk kanë qenë asgjë tjetër përveç një vijimësi turpërimesh me dështimet si kulm.

Le të kthehemi mbrapa në ndërhyrjen e fundit moralisht të padiskutueshme dhe ushtarakisht fitimtare të Shteteve të Bashkuara, përkatësisht pjesëmarrjen në Luftën e Dytë Botërore: Çfarë do të ndodhte sikur Shtetet e Bashkuara të mos hynin në luftë (një histori e pakëndshme alternative)? Pa dyshim, fati i Azisë do të ishte krejt ndryshe. Fati i Europës gjithashtu, por ndoshta disi më pak. Në çdo rast, Hitleri do të kishte humbur. Gjasat janë që ushtritë e Stalinit do të kishin arritur deri në Cherbourg. Disa vende europiane që shpëtuan nga mundimet e komunizmit do ta kishin provuar në kurriz.

Një skenar i papëlqyer, e pranoj, por gjithsesi i shkurtër. Dyzet vjet më vonë, Bashkimi Sovjetik do të ishte shembur krejtësisht, thjesht sepse ai mbështetej në një ideologji joefektive dhe false. Sido që të jenë rrethanat, cilado qoftë kultura në të cilën është vendosur komunizmi, ajo nuk ka arritur të mbijetojë as edhe një shekull – në asnjë vend të botës.

Kujtesa e njerëzve nuk është afatgjatë. Hungarezët, polakët, çekët e sotëm – a mbajnë mend me të vërtetë që kanë qenë komunistë? A ndryshon kaq shumë te ata mënyra e parashikimit të atij që është thelbi i diskutimit sot në Europë nga këndvështrimi i Europës Perëndimore? Duket jashtëzakonisht e pamundur. Për të adoptuar për një moment gjuhën e së majtës së qendrës, “kanceri populist” nuk është aspak i kufizuar në Grupin e Visegrád-it. Mbi të gjitha, argumentet e përdorura në Austri, Poloni, Itali dhe Suedi janë saktësisht të njëjta. Një nga konstantat në historinë e gjatë të Europës është lufta kundër Islamit; sot, kjo luftë thjesht është rikthyer në plan të parë.

Kam lexuar për taktikat e përçmueshme të CIA-s në Nikaragua dhe Kili vetëm në romane (pothuajse ekskluzivisht romane amerikane), kështu që unë nuk mund të bëj ndonjë akuzë të saktë mbi to. Ndërhyrjet e para ushtarake amerikane që mund të kujtoj vërtet janë ato të dy Bush-ëve, veçanërisht të të birit. Franca nuk pranoi të bashkohej me të në luftën kundër Irakut – një luftë që ishte barabar imorale dhe budallaqe; Franca kishte të drejtë, dhe kënaqësia ime për ta theksuar këtë është më e madhe, sepse Franca rrallëherë ka pasur të drejtë. . . le të themi, që nga koha e de Gaulle.

 

Një përparim i madh u bë nën Obamën. Ndoshta atij iu dha Çmimi Nobel për Paqen pak shpejt; por për aq sa më intereson, ai me të vërtetë e fitoi atë më vonë, ditën kur nuk pranoi të mbështesë sulmin e propozuar të Francois Hollande kundër Sirisë. Përpjekjet e Obamës për pajtim racor ishin më pak të suksesshme, dhe unë nuk e njoh vendin tuaj aq sa duhet për të kuptuar saktësisht pse; gjithçka që mund të bëj është të më vijë keq për këtë. Por, në më të paktën, Obama mund të përshëndetet që nuk e shtoi Sirinë në listën e gjatë (Afganistan, Irak, Libi, dhe të tjera që pa dyshim po i harroj) të tokave muslimane, ku Perëndimi ka kryer mizori.

Trump po ndjek dhe forcon politikën e shkëputjes të iniciuar nga Obama; ky është një lajm shumë i mirë për pjesën tjetër të botës.

Amerikanët po na zbresin nga kurrizi.

Amerikanët po na lënë të ekzistojmë.

Amerikanët e kanë ndalur përpjekjen e përhapjes së demokracisë në të katër anët e globit. Për më tepër, cilën demokraci? Votimi çdo katër vjet për të zgjedhur një kryetar shteti — është demokracia? Sipas mendimit tim, ka një vend në botë (një vend, jo dy) që gëzon institucione pjesërisht demokratike, dhe ai vend nuk është Shtetet e Bashkuara të Amerikës; është Zvicra. Një vend përndryshe i njohur për politikën e tij të lavdërueshme të asnjanësisë.

Amerikanët nuk janë më të gatshëm të vdesin për lirinë e shtypit. Për më tepër, cilën liri shtypi? Që kur mbusha dymbëdhjetë e kam parë larminë e opinioneve që botoheshin në shtyp duke u tkurrur në mënyrë të qëndrueshme (po e shkruaj këtë menjëherë pasi ka nisur një ekspeditë e re përndjekjeje në Francë kundër shkrimtarit famëkeq anti-liberal, Éric Zemmour).

Amerikanët po mbështeten gjithnjë e më shumë te dronet, të cilat – nëse ata do të dinin t’i përdornin – mund t’i kishin lejuar të zvogëlonin numrin e viktimave civile (por fakti është se amerikanët kanë qenë gjithmonë të paaftë, praktikisht që nga fillimi i aviacionit, për të kryer një bombardim siç duhet).

 

Por më e jashtëzakonshmja në lidhje me politikat e reja amerikane është sigurisht pozicioni i vendit mbi tregtinë, dhe në këtë pikë Trump ka qenë si një frymë e shëndetshme ajri të pastër; keni bërë mirë që keni zgjedhur një president me origjinë nga ajo që quhet “shoqëri civile”.

Presidenti Trump i gris traktatet dhe marrëveshjet tregtare kur mendon se ka qenë gabim nënshkrimi i tyre. Ai ka të drejtë për këtë; udhëheqësit duhet të dinë se si të përdorin periudhën e ndërmjetme (cooling off period) dhe të tërhiqen nga marrëveshjet e këqija.

Për dallim nga liberalët e tregut të lirë (të cilët janë, në mënyrën e tyre, aq fanatikë sa komunistët), Presidenti Trump nuk e konsideron tregtinë e lirë globale si gjithçka dhe si fundin e të gjithë përparimit njerëzor. Kur tregtia e lirë favorizon interesat amerikane, Presidenti Trump është në favor të tregtisë së lirë; në të kundërt, ai gjen masa mbrojtëse të modës së vjetër plotësisht të përshtatshme.

Presidenti Trump u zgjodh për të mbrojtur interesat e punëtorëve amerikanë; ai po mbron interesat e punëtorëve amerikanë. Gjatë pesëdhjetë viteve të kaluara në Francë, do të dëshironim që të ndesheshim më shpesh me këtë lloj qëndrimi.

Presidenti Trump nuk e pëlqen Bashkimin Europian; ai mendon se ne nuk kemi shumë të përbashkëta, veçanërisht jo “vlerat”; dhe unë këtë e quaj fat, sepse, cilat vlera? “Të drejtat e njeriut”? Seriozisht? Ai më mirë do të negocionte drejtpërdrejt me vendet individuale, dhe besoj se kjo në të vërtetë do të ishte e preferueshme; Unë nuk mendoj se forca rrjedh domosdoshmërisht nga bashkimi. Eshtë besimi im që ne në Europë nuk kemi as gjuhë të përbashkët, as vlera të përbashkëta, as interesa të përbashkëta, që me një fjalë, Europa nuk ekziston, dhe se ajo kurrë nuk do të përbëjë një popull apo të mbështesë një demokraci të mundshme (shiko etimologjinë e termit), thjesht sepse nuk dëshiron të përbëjë një popull. Me pak fjalë, Europa është thjesht një ide memece që gradualisht është shndërruar në një ëndërr të keqe, nga e cila ne do të zgjohemi përfundimisht. Dhe në shpresën e tij për “Shtetet e Bashkuara të Europës”, një referencë e dukshme për Shtetet e Bashkuara, Victor Hugo dha vetëm dëshmi të mëtejshme të madhështisë dhe marrëzisë së tij; gjithmonë më bën pak mirë të kritikoj Victor Hugo-në.

Me mjaft logjikë, Presidenti Trump ishte i kënaqur për Brexit-in. Me mjaft logjikë, ashtu isha edhe unë; keqardhja e vetme ishte që britanikët e treguan edhe një herë veten më të guximshëm se ne përballë perandorisë. Britanikët më acarojnë, por guximi i tyre nuk mund të mohohet.

Presidenti Trump nuk e konsideron Vladimir Putin-in një partner të padenjë për negociata; as unë. Nuk besoj se Rusisë i është caktuar roli i udhëzuesit universal të njerëzimit – admirimi im për Dostoevsky nuk shtrihet aq larg – por unë admiroj këmbënguljen e ortodoksisë në trojet e veta, mendoj se Katolicizmi Roman do të bënte mirë të merrte frymëzim prej kësaj, dhe besoj se “dialogu ekumenik” mund të jetë dobishëm i kufizuar në një dialog me Kishën Ortodokse (Krishtërimi nuk është vetëm një “fe e Librit”, siç thuhet me shumë ngut; është gjithashtu, dhe ndoshta mbi të gjitha, një fe e Mishërimit). Jam, me dhimbje, i vetëdijshëm se Skizma e Madhe e vitit 1054 ishte, për Europën e krishterë, fillimi i fundit; por nga ana tjetër, besoj se fundi nuk është kurrë i sigurt derisa të arrijë.

Duket se Presidenti Trump madje ka arritur të zbusë edhe të çmendurin e Koresë së Veriut; kjo arritje më duket një klas më vete.

Duket se Presidenti Trump kohët e fundit ka deklaruar, “E dini se çfarë jam unë? Unë jam nacionalist!”. Edhe unë, ekzaktësisht i tillë jam. Nacionalistët mund të flasin me njëri-tjetrin; me internacionalistët, çuditërisht, të folurit nuk funksionon aq mirë.

Franca duhet të largohet nga NATO, por mbase një hap i tillë do të bëhet i kotë nëse mungesa e fondeve operacionale bën që NATO të zhduket vetë. Kjo do të ishte një gjë më pak për t’u shqetësuar, dhe një arsye e re për t’i kënduar lavde Presidentit Trump.

 

Si përmbledhje, Presidenti Trump më duket se është një nga presidentët më të mirë amerikanë që kam parë ndonjëherë.

Në nivel personal, ai është, natyrisht, mjaft zhgënjyes. Nëse ai shoqërohej me një yll pornoje, nuk ka problem, kujt i plasi!, por të tallesh me njerëzit me aftësi të kufizuara është sjellje e keqe. Me një agjendë ekuivalente, një konservator autentik i krishterë – që do të thotë, një person me nder dhe moral – do të ishte më i mirë për Amerikën.

Por mbase mund të ndodhë herën tjetër, ose herën pas kësaj, nëse këmbëngulni të mbani Trump-in. Në gjashtë vjet, Ted Cruz do të jetë ende relativisht i ri, dhe me siguri ka edhe konservatorë të tjerë të shquar të krishterë. Do të jeni pak më pak konkurrues, por do të rizbuloni gëzimin e të jetuarit brenda kufijve të vendit tuaj të mrekullueshëm, duke praktikuar ndershmëri dhe virtyt. (Me disa raste pabesie martesore. Askush nuk është i përsosur, ju duhet të relaksoheni për këtë. Edhe në thrillerët më të mirë amerikanë, ka skena të pendimit të bashkëshortëve që janë vështirë të durohen, veçanërisht kur fëmijët ndërhyjnë. Unë nuk dua të luaj “francezin libertin”, një personazh që e urrej, thjesht po lutem për mbajtjen e një niveli minimal hipokrizie, pa të cilën nuk ka jetë në shoqërinë njerëzore.)

Do të eksportoni disa produkte (marka të domosdoshme: Marshall, Klipsch, Jack Daniels). Do të importoni disa të tjerë (ne në Francë gjithashtu kemi sende për të shitur). Në fund të fundit, kjo ndoshta nuk do të sillte shumë, qoftë në vëllimin e tregtisë, as në valutë. Një ulje në tregtinë globale është një qëllim i dëshirueshëm dhe mund të arrihet brenda një afati të shkurtër kohor.

Disa veprime protestuese mund të përshpejtojnë procesin. Pa shumë vështirësi, ato mund të kufizohen në mallra dhe pronë. Ka një numër të kufizura marinarësh në çdo anije me kontejnerë; në rast sulmi, do të ishte e lehtë të paralajmërohej kapiteni dhe të evakuoheshin, duke shmangur çdo konflikt.

Militarizmi juaj mesianik do të zhduket plotësisht; bota do të marrë frymën e një lehtësimi.

Silicon Valley dhe, në një shkallë më të vogël, Hollywood-i do të duhet të përballojnë paraqitjen e konkurrentëve të fuqishëm; por Silicon Valley, si dhe Hollywood-i, do të mbajnë disa sektorë të rëndësishëm të tregut.

Kina do t’i pakësojë ambiciet e saj mbizotëruese. Ky rezultat do të jetë më i vështiri për t’u arritur, por në fund të fundit, Kina do të kufizojë aspiratat e saj, dhe India do të bëjë të njëjtën gjë. Kina nuk ka qenë kurrë një fuqi globale imperialiste dhe as India – për dallim nga Shtetet e Bashkuara, qëllimet e tyre ushtarake janë lokale. Qëllimet e tyre ekonomike, është e vërtetë, janë globale. Ata kanë një hakmarrje ekonomike për të realizuar, dhe po e bëjnë këtë tani, gjë që është me të vërtetë çështje shqetësuese; Donald Trump ka shumë të drejtë të mos lejojë që të bullizohet. Por në fund, grindja e tyre do të zbehet, shkalla e rritjes së tyre do të zbehet.

E gjithë kjo do të ndodhë brenda një jete njeriu.

Ju duhet të mësoheni me idenë, njerëz të denjë amerikanë: në analizën përfundimtare, mbase Donald Trump do të ketë qenë një sprovë e nevojshme për ju. Dhe, gjithmonë do të jeni të mirëpritur si turistë.

*Përkthimi nga anglishtja: Politiko.al