Flash News

KRYESORE

Mike Pompeo: SHBA, të gatshme të ndërhyjnë ushtarakisht në Venezuelë

Mike Pompeo: SHBA, të gatshme të ndërhyjnë ushtarakisht

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërhyjnë ushtarakisht për të frenuar trazirat e tanishme në Venezuelë.

"Një veprim ushtarak është i mundur", tha diplomati më i lartë i SHBA për rrjetin televiziv Fox Business. "Nëse kjo do të kërkohet, Shtetet e Bashkuara do ta bëjnë," tha ai.

Megjithatë, ai përsëriti se SHBA do të preferonin një kalim paqësor të pushtetit në Karakas, nga presidenti socialist Nikolas Maduro tek presidenti i përkohshëm i vetëshpallur, Juan Guaido, kryetar i Asamblesë Kombëtare i njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe rreth 50 vende të tjera si udhëheqës legjitim i vendit.

Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, tha ndërkaq për rrjetet CNN dhe Fox News se zoti Pompeo do të fliste të mërkurën me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, rreth mbështetjes së Moskës për Maduron në vështirësi.

Pompeo u tha intervistuesve se Maduro, përballë protestave të rrugës kundër regjimit të tij, ishte gati të largohej nga Venezuela për në Kubë të martën, por Rusia e bindi të qëndronte për të kundërshtuar thirrjen e Guaido drejtuar ushtrisë për të përmbysur Maduron.

Vetë Maduro dhe Ministria e Jashtme ruse mohuan zërat për largimin e Maduros. Moska tha se kërkesa e SHBA ishte pjesë e "luftës së saj informative” për të demoralizuar ushtrinë venezueliane dhe për të nxitur një grusht shteti.

Mijëra demonstrues janë bashkuar me protestat në rrugë pasi Guaido i mbështetur nga SHBA bëri thirrje që ushtria të refuzonte sundimin e Maduro-s dhe të kalonte në anën e tij në një fushatë që ai e quajti "Operacioni Liria". Guaido u shfaq të martën së bashku me politikanin e opozitës Leopoldo Lopez, i cili ishte vënë nën arrest shtëpiak nga Maduro, por tha se ishte "i liruar" nga ushtarët që mbështesin zotin Guaido.

Në një zhvillim tjetër, Administrata Federale e Aviacionit e SHBA lëshoi një urdhër të martën vonë, ku ndalonte të gjitha linjat ajrore amerikane të fluturonin në hapësirën ajrore të Venezuelës nën 7,000 metra deri në një njoftim të mëtejshëm, duke cituar si arsye "rritjen e paqëndrueshmërisë politike dhe të tensioneve".

Ajo urdhëroi gjithashtu të gjithë operatorët ajrorë në Venezuelë, duke përfshirë avionët privatë, të largoheshin nga vendi brenda 48 orëve. (Voa)

Të fundit