Milan në pritje të janarit, Leonardo nis kontaktet me Fabregas

Ekipi i Milanit vazhdon të vuajë një numër të madh dëmtimesh teksa kuqezinjtë sipas të gjitha gjasave do të futen fuqishëm në merkaton e janarit.

Të ndodhur në këtë situatë delikate, Leonardo dhe Maldini kanë nisur që tani punën me qëllimin përforcimin e kontingjentit me të paktën 2-3 prurje të reja në fillim të vitit 2019.

Sipas “Calciomercato”, Leonardo ka nisur kontaktet me ndërmjetësuesit e Fabregas për të zbuluar situatën.

Kontrata e spanjollit te Chelsea është shumë pranë skadimit dhe mesfushori konsiderohet mes lojtarëve në ikje nga Blutë e Londrës. Paredes dhe Lobotka janë opsione të tjera, por duket se Fabregas mund të jetë lëvizja më e lehtë për tu realizuar në këtë moment.

Pavarësisht këtyre dilemave ende të pazgjidhura, transferimi i Fabregas te kuqezinjtë nuk duket më një mision i pamundur. Kujtojmë se tek Milani është përfolur edhe një kalim i mundshëm e suedezit Ibrahimovic.