Flash News

KRYESORE

Ministrat teknikë dorëzojnë zyrtarisht dorëheqjet në kryeminstri

Ministrat teknikë dorëzojnë zyrtarisht dorëheqjet në

Është zyrtarizuar para pak minutash dorëheqja e ministrave teknik të Partisë Demokratike nga qeveria “Rama”. Mësohet se kërkesa  e dorëheqjes së ministrave ka mbërritur në kryeministri me postë rreth orës 14:00 të ditës së sotme.

Zv.kryeministrja Ledina Mandija dhe gjashtë ministrat teknikë të Partisë Demokratike zgjodhën këtë mënyrë për t’i paraqitur dorëheqjen kryeministrit Edi Rama.

Edhe pse Partia Demokratike ka tërhequr që dje ministrat teknikë, dorëheqja e tyre u shty me 24 orë. Burime nga selia e blu thanë ditën e djeshme se dorëheqjet do të depozitoheshin ditën e sotme për shkak se zyra e protokollit në Kryeministri ka qenë e mbyllur pas orës 16:00 të ditës së mërkurë.

Nuk dihet nëse pas dorëzimit të kërkesës për dorëheqje, ministrat teknikë të Partisë Demokratike do të largohen menjëherë nga detyra apo do të qëndrojnë deri në formimin e qeverisë së re në muajin shtator. Kushtetuta kërkon që ata të qëndrojnë në detyrë deri në ardhjen e ministrit zëvendësues.

“Kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të qëndrojnë në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave pasardhës”, thuhet në nenin 106 të Kushtetutës.

Nuk dihet se cili do të jetë reagimi i Kryeministrit Rama për këto dorëheqje. Zv.kryeministrja Ledina Mandija, ministri i Brendshëm Dritan Demiraj, ministrja e Financave Helga Vukaj, ministrja e Arsimit Mirela Karabina, ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi, ministria e Mirëqenies Sociale Xhulieta Kërtusha dhe ministri i Shëndetësisë Arben Beqiri morën detyrën menjëherë pas marrëveshjes politike Rama-Basha në funksion të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit.

Të fundit