Ministri kosovar leksion Shqipërisë, tregon se si ia dolën të kthenin 110 shtetas nga Siria

Ministri i Drejtësisë në Kosovë Abelard Tahiri ka treguar strategjinë që vendi i tij përdori për të riatdhesuar 110 kosovare nga Siria, ndërsa strehoheshin në kampe.

“Numri i qytetarëve të Kosovës ka qenë mjaft i madh nga ata që kanë shkuar në Siri. Kanë qenë rreth 440, ndërsa tani kanë ngelur rreth 100 të tjerë. Padyshim kemi pasur partneritet të ngushtë me aleatë të ndryshëm. Bashkëpunuam me SHBA-në. Nga ana tjetër inteligjenca jonë ka prodhuar informacione të mjaftueshme për vendndodhjen e personave aty.

Ne e filluam në shtator të vitit të kaluar dhe realisht nuk e dinin se kur do të përfundonte. Në muajin mars e patën idenë e qartë se si do të përfundonte. Rreth 8 muaj zgjati operacioni.

Kemi riatdhesuar edhe 9 fëmijë pa prindër. Ne riatdhesuam të gjithë ata njerëz që kishim kontakt dhe dijeni.”, tha ministri Tahiri për emisionin “Open” në Top Channel.