Flash News
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
“Minuan sundimin e ligjit”, DASH shpall ‘non grata’ tre zyrtarë të lartë në Ballkan
Akuzohet për 4 vepra penale/ SPAK nis hetimet ndaj drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi
Alfred Lela
Sandër Lleshi, ministri i ri i Brendshëm, ka patur disa herë rastin e protagonzimit mediatik, të cilit nuk i është shmangur.
Ai përbën kështu një rast të veçantë, të ministrimit, në raport me median; më shumë kështu po të kesh parasysh se ai drejton një ministri të shumëdiskutuar, si ajo e Brendshmja, ku i duhet, jo vetëm të përballet me ‘rëndesën’ e postit, por edhe me trashëgiminë e paraardhësve sa i takon ekspozimit mediatik.
Saimir Tahiri, më i riu i ministrave të Brendshëm të zgjedhur prej Ramës përgjatë dy mandateve qeverisëse, ka qenë më i priruri për ta kërkuar dritën mediatike. Jo vetëm sa i takon ekspozimit të veprimtarisë si ministër dhe institucionit që drejtonte, por edhe në përplasjet parlamentare me opozitën në Kuvend, apo dhe nëpërmjet deklaratave indirekte ku synonte kundërshtarët apo aktivizimit në rrjetet sociale.
Tahiri, në njëfarë mënyrë, dukej se plotësonte cv-në e tij politike nëpërmjet përplasjes me kundërshtarët demokratë, kjo edhe për të përligjur një mungesë në ‘socializëm’ krahasuar me deputetët apo eksponentë të tjerë që vinin nga rreshtat e thellë të PS. Ndoshta edhe për të vazhduar me logjikën e cila e kishte shtyrë Ramën ta bënte ministër: jo idetë politike, por ‘boksi politik’.
Pasuesi i tij në krye të MB, Fatmir Xhafaj, parapëlqente një stil krejtësisht të ndryshëm të ushtrimit të detyrës në raport me ekspozimin mediatik. Xhafaj fliste pak, u shmangej kamerave, nuk ishte ‘njeri i medias’, por tregohej korrekt me to. Duke qenë i këtij stili, edhe pse foli më pak ai prodhoi më shumë lajme se Tahiri, duke qenë i pari në qeverinë e Ramës që pranoi një problem të kanabizimit të vendit dhe përfshirjen në të të strukturave të Policisë.
Të dy janë tashmë një kujtim: I pari ikur nëpërmes një skandali, i dyti u tërhoq për të mos qenë dëshmitar i një veprimi qeveritar që për të dukej se përbënte skandal. ‘Shfronësimi’ i të dyve, paradoksalisht, lidhet me natyrën e tyre mediatike. I pari përmes një tramundane mediatike, i dyti përmes një kortezhi hamendësimesh sunduar prej heshtjes dhe hamendësimeve ‘mortore’.
Ja ku futet në skenë Sandër Lleshi që u hodh në arenën politike nga Edi Rama si një provokim mediatik. Një njeri jopolitik për një prej posteve më politike në vend, Lleshi kishte qenë këshilltar i kryeministrit duke ardhur në paradhomën e ekzekutivit nga platforma e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.
‘Rasti Lleshi’ u bë i bujshëm pas refuzimit të parë të presidentit Meta për ta dekretuar. Kur kjo pengesë ra, ministri i ri u fut në insitucionin që vazhdonte të hante ‘koka’ që nga koha e Koçi Xoxes, me një kompliment ‘lartësie’ për shefin e tij, Rama. Pa kaluar shumë ai filloi të shfaqej në vëmendjen e publikut me gjeste të vogla, që kishin të bënin me urdhra të brendshëm të cilët shqetësoheshin për merimangat ndërkohë që ishte duke rënë kulmi (çatia). Në vend të një akti të madh të pritshëm siç mund të ishte lufta ndaj krimit etj.
Ministri që vinte nga gradat e mëdha të ushtrisë dukej se kishte zgjedhur një qasje potemkiniane në ushtrimin e detyrës duke imituar kështu shefin e tij Rama i cili është marrë me pikturimin e Potemkinit të vet, që në fillim të qeverisjes e në vazhdim.
Në një plan të dytë, duke imituar Tahirin, më të riun e paraardhësve të tij, ai zgjodhi përplasjen e drejtpërdrejtë me eksponentët e opozitës në Kuvend. Ai vendosi rrugën e thepisur të politicizimit të vetes dhe postit në vend të gjeneralit që zgjedh rolin e Uliksit duke i taposur veshët para ‘derrave’ apo ‘circeve’ opozitare.
Një sjellje e ushtruar edhe më pare, kur vendosi t’i etiketonte protestuesit në Universitete si ‘jo studentë’. Duke futur kështu në punë një terminologji të pastër politike të partisë që përfaqësonte interesat e pushtetit të saj.
Fjalët nuk lëndojnë më shumë se aktet, megjithatë. Policia e tij u dorëzua para uniforma laramane të firmave private të sigurisë që rrethuan fakultetet, por në disa raste u zhvendos edhe vetë në akte dhune ndaj studentëve.
Askush nuk e pengon një gjeneral të dalë nga hija, e hamendësuar si e rëndë dhe serioze, e gradave, në dritën e një ushtari të vogël politik veshur me spaletat-spageti të një ministri socialist. Nuk thonë kot se, nëse don të njohësh dikë jepi pushtet.
Në raste të tilla nuk të shpëton as ‘vula papnore’ e Kadaresë.