Flash News

KRYESORE

Ministrja Gjonaj: Pse më sulmoi Monika Kryemadhi

Ministrja Gjonaj: Pse më sulmoi Monika Kryemadhi

Pas arrestimit të 4 ish-zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë të arrestuar për abuzime me tenderat, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, akuzoi Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, se po shantazhon gjyqtarët dhe prokurorët për të ndërhyrë në hetime.

"Ajo mund ta dijë shumë mirë që korrupsionin e ka brenda në shtëpinë e saj. Le ti tregojë shqiptarëve përse është pushuar disa herë burri i saj nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe kush janë lidhjet e bashkëshortit të saj me Elvis Martinaj apo me shumë pika të tjera të basteve", u shpreh Kryemadhi.

Në një deklartatë për median sot, Ministrja e Drejtësisë u shpreh se Kryemadhi e ka cënuar familjarisht, por që nuk do i përgjigjet asaj.  Sipas saj, Kryemadhi e sulmon pasi do të dulmojë drejtësinë.

“Unë nuk jam këtu për t'i rikthyer një përgjigje zonjës Kryemadhi, lidhur me sulmin e saj të ulët, po për t'i thënë çdokujt tjetër se s’mund të më ndalin dot të bëj me përkushtim, profesionalizëm dhe integritet moral dhe politik vetëm detyrën time. 

Procedurat e tenderimeve në Ministrinë e Drejtësisë për vitet 2016 dhe 2017 kanë qenë abuzime që pas hetimit të prokurorisë u bënë shkak për arrestimin e disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë. Unë jam e vendosur të mbështes prokurorinë në luftën kundër korrupsionit dhe inkurajoj atë të thellojë hetimin për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me ligjin dhe detyrën.

Sulmi vulgar ndaj meje, nuk erdhi si rrufe në qiell të pastër dhe as si nevojë e luftës politike me doza papërgjegjshmërie për ato që thuhen dhe etheve të një lufte pa asnjë princip për pushtet. Jo. Unë u sulmova me qëllimin e vetëm për t’u sulmuar drejtësia”, tha Gjonaj. 

Më tej ministrja i bëri thirrje organeve të drejtësisë të mos ndalen dhe të vihen para drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer shkelje.

“Drejtësia duhet të bëhet e plotë dhe e drejtë deri në fund. Drejtësia nuk duhet të jetë selektive por të gjithë duhet të përgjigjen njësoj përpara ligjit. Duhet të bëjmë durim të gjithë për të parë rezultatet e hetimit nga prokuroria dhe të mos nxitojmë me deklarata, shpifje, thirrje të cilat nuk ndihmojnë hetimin e këtij procesi”, tha Gjonaj.

Të fundit