“Miratimi i Komisionit të Vlerësimit pozitive, por mungojnë risitë në PD”, Lubonja: Janë goxha më demokratik, se ç’po sillet Edi Rama

Fatos Lubonja

Analisti Fatos Lubonja i ka cilësur si një hap pozitiv zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike. Megjithatë sipas tij, “mungon e reja në PD”. Në një intervistë në rubrikën “Opinion”, Lubonja shprehet se në këto zgjedhje nuk ka persona që mund të vijnë me një frymë të re brenda PD. Megjithatë, marrë shkas se kë figurë dhe subjekt tjetër politik ka përballë, për analistin zhvillimet e sotme përbëjnë “diçka goxha demokratike, në krahasim me ç’po sillet Edi Rama.”

 “Tani ka një përfshirje dhe të bazës, plus që ka një komision që përbëhet nga figura, që nuk mund të mendohet se janë jesmenë të Bashës, kanë një lloj zëri dhe nuk mendoj se mund të diktojë kryetari. Në këtë kuptim është pozitive. Problemi është se nëse do t’i marrim në analizë figurat e zgjedhura, mungon e reja në PD. A ka njerëz që mund të vijnë me një frymë tjetër, sa pra ka partia një evoluim brenda vetes. Pra, nuk kemi brezin që duhet të ishte kontenstues në të kaluarën, që të mund të sillte dicka të re. Gjithsesi, kur ke parasysh se përballë kujt ndodhemi, është dicka goxha demokratike, në krahasim me c’po sillet Edi Rama. Është një kthim mbrapa jo tek e mira, por te një e keqe më e vogël që kemi pas dikur. Por nganjëherë edhe për të ecur përpara, duhet të marrë një vrull prapa”, u shpreh ai.

Për Lubonjën është shqetësues fakti se nuk kemi shumë figura të reja. Megjithatë analistio mban shpresa tek Komisioni i Vlerësimit, për tmos zgjedhur sipas tij persona të tjerë “katastrofë si puna e këtyre që vanë në Parlament”.

“Shqetësuese mendoj se është fakti që ne kemi parë pak figura të reja, që konkurojnë me të vjetrit. Problemi nuk është thjesht se nuk janë, por nuk i shohim me një kontribut. Besoj se ky komisioni mund të jetë pozitiv, të paktën për të mos zgjedhur si këta që u futën tani në parlament, dhe që janë një katastrofë. Basha që i ka zgjedhur ata, ka një përgjegjësi shumë të madhe. Këta që do të jenë aty do të jenë më të përgjegjshëm për të mos zgjedhur më të tillë, që u bënë më armiq me partinë e tyre. Prapë kemi një problem këtu, se ky komision mund të bëjë punën e vetë, por nesër nuk e dimë si do jetë sistemi, a do shkohet me koalicione”, tha Lubonja.

I pyetur nëse kjo lloj lëvizje krijon motivacionin e duhur brenda PD-së, Lubonja sërish e vë theksin tek mungesa e risive, ndërsa shton se në Shqipëri “kemi liderë absolutë, si patriarkët që kontrollojnë gjithçka.”

“Ajo që dua unë të shikoj dhe që nuk e shoh në asnjë parti është ajo dinamika që vijnë ca të rinj, që sjellin edhe të reja, që zëvendësojnë një kryetar, që dalin aty, që bëjnë kritika për të kaluarën, në këtë mënyrë ecën dhe demokracia, dhe partia. Këtu kemi liderë që bëhen absolutë, si patriarkët që kontrollojnë gjithcka. Këtë nuk shoh unë, të rinj që ndalin liderin, duke i thënë ‘na ke cuar njëherë në luftë, njëherë në paqe, njëherë në breshër, etj’. Kjo nuk duket as te PD.
Po të shohësh PD italiane aty ke gjithmonë dhe fraksione, dhe lëvizje, edhe ndarje”,
ka thënë ndër të tjera analisti.