Flash News

KRYESORE

Miratimi i paketës "anti-KÇK", reagojnë zyra e BE-së dhe ambasada e SHBA në Tiranë

Miratimi i paketës "anti-KÇK", reagojnë zyra e

Edhe Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar menjëherë pas delegacionit të Bashkimit Evropian  në Tiranë, pas miratimit të paketës "anti-KÇK", duke u shprehur se mekanizmat e përforcuar për zbatimin e ligjit duhet edhe të mbështesin institucionet e reja të drejtësisë. Ashtu si zyra e BE-së në Tiranë, edhe ambasada amerikane janë shprehur duke thënë se do e ndjekin nga afër zbatimin e paketës.

Reagimi i zyrës së BE-së në Tiranë:

“Ndiq paratë” ka provuar se është një mënyrë shumë e efektshme për të luftuar konkretisht organizatat kriminale. Ligji special i miratuar nga Qeveria e Shqipërisë, që prezanton masa të reja parandaluese për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, shkon në këtë drejtim dhe tregon vullnet politik për të trajtuar këtë problem.

Ne do të ndjekim nga afër zbatimin konkret të aktit normativ. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që masat e reja ligjore të zbatohen në respekt të plotë të të drejtave themelore të të akuzuarve dhe në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës. Është gjithashtu e rëndësishme që këto masa të reja të ndiqen përmes institucioneve të krijuara nga reforma në drejtësi, në veçanti SPAK-un.

Ne vazhdojmë ta inkurajojmë Qeverinë e Shqipërisë që të rrisë më tej përpjekjet e saj për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Deklarata e plotë e ambasadës amerikane në Tiranë:

Ndërsa vazhdon zbatimi i reformave të rëndësishme të drejtësisë, Shtetet e Bashkuara mirëpresin përpjekjet e intensifikuara nga Qeveria e Shqipërisë për të parandaluar krimin e organizuar që të përdorë pasurinë e paligjshme për të minuar themelet e shtetit ligjor. Mekanizmat e përforcuar për zbatimin e ligjit duhet edhe të mbështesin institucionet e reja të drejtësisë të ngarkuara me ndjekjen penale të krimit të organizuar, edhe të harmonizohen me standardet e procesit të drejtë ligjor. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim zbatimin e këtij ligji me interes te madh.

Të fundit