Flash News

KRYESORE

Miratohet ligji në Parlamentin e Maqedonisë, gjuha shqipe zyrtare në të gjithë vendin

Nga sot, gjuha shqipe do të jetë gjuhë zyrtare jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe në Republikën e Maqedonisë. Parlamenti i vendit fqinj miratoi me 69 vota pro ligjit për gjuhën që e barazon shqipen me maqedonishten, ndërsa i jep më shumë hapësira gjuhëve të minoriteteve.

Me një popullsi shqiptare që llogaritet nga 25% deri në mbi 30%, Maqedonia nuk e njihte deri më sot shqipen si gjuhë zyrtare në të gjithë vendin, por vetëm në ato zona ku shqiptarët përbënin më shumë se 20% të popullisë.

Tashmë ky ligj i hap rrugë zyrtarizimit të shqipes në të gjithë Maqedoninë, përfshirë institucionet qendrore dhe lokale, pikat kufitare, dokumentat zyrtare, etj.

Ligji për gjuhët u miratua vetëm me votat e LSDM dhe partive shqiptare, ndërkohë që VMRO-DPMNE nuk ka marrë pjesë në punimet e Kuvendit.

Kundërshtitë

Presidenti i Republikës, Gjeorge Ivanov ka shprehur më parë kundërshtimin për miratimin e këtij ligji, pasi sipas tij, kjo do i hapte rrugë federalizmit të vendit.

Edhe ish-kryeministri dhe ish-kryetari i VMRO, Nikolla Gruevski bëri fushatë kundër këtij ligji, por pa sukses.

Shoqata nacionaliste maqedonase dhe zyrtarë të Serbisë janë shprehur shpesh kundër zyrtarizimit të shqipes në të gjithë vendin.

Të fundit