Mirel Josa, trajner i “Prishtinës”

Nuk ka zgjatur më shumë se një javë roli i Mirel Josës si drejtor sportiv i Prishtinës. Tekniku nga Tirana është emëruar sot trajner i skuadrës kryeqytetase të Kosovës duke u rikthyer të punojë në terren, aty ku ka njohur shumë suksese në futbollin shqiptar. Me vendim të drejtuesve të klubit, ish-trajneri tashmë, Arsim Thaqi, ka marrë vendin e Mirel Josës si drejtor sportiv.

Debutimi i 54-vjeçarit në Superligën e Kosovës do të jetë ditën e shtunë në transfertë përballë Gjilanit.

Njoftimi i Prishtinës:

“Në koordinim me Bordin e klubit dhe shtabit profesional të përbërë nga trajnerët e klubit, është vendosur të bëhet rotacion në udhëheqjen e ekipit të parë. Duke përfillur kriteret e më hershme të kryetrajnerëve me përvojë dhe që pas vetes kanë shumë tituj të fituar, është vendosur që Mirel Josa tani e tutje të udhëheq ekipin e parë. Ndërsa, kryetrajneri i deritashëm Arsim Thaqi, i cili edhe para se të emërohej kryetrajner, kishte qenë koordinator i klubit dhe i shkollës, emërohet drejtor sportiv.

Sot pasdite skuadrën në seancën stërvitore do ta udhëheq Mirel Josa.

T’ju kujtojmë se Prishtinën në dy ndeshjet e ardhshme e presin ndeshje shumë të vështira. Të shtunën në Gjilan me skuadrën homonime, ndërsa të mërkurën Prishtina e “pret” Feronikelin vendas në Drenas.”