Flash News

KRYESORE

Mish me ngjyrues, qumësht me toksina dhe politikanë prej kartoni

Mish me ngjyrues, qumësht me toksina dhe politikanë prej kartoni

Gentian Gaba 

Shoqata Albanian Food Industry (AFI), nëpërmjet një studimi, nxori në pah se produktet që konsumojmë çdo ditë në tryezat tona, në një pjesë të mirë të rasteve, dështojnë në testet e sigurisë. Të pakta janë ato ushqime të cilat nuk kanë shfaqur probleme dhe përmbushin standardet e kërkuara.

Ky nuk është i vetmi lajm i keq për konsumatorët shqiptarë. Makthi i (pa)sigurisë ushqimore është edhe një pengesë për ëndrrën europiane të Shqipërisë.

Me hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, një nga kapitujt që do të duhet të negociohet është edhe siguria ushqimore. Pra, sikurse është e rëndësishme Reforma në Drejtësi, e cila ka muaj që po mban peng jetën politike të vendit, siguria ushqimore është një tjetër kusht për “atë të djallosur” rrugë europiane.  

Të shumta kanë qenë mallkimet që kemi pësuar në njëzet e shtatë vite pluralizëm, por edhe pse shqetësuese për çdo individ që konsumon të paktën një vakt në ditë, shumë pak vëmendje i kushtohet kësaj çështjeje. Ndoshta, problematika e sigurisë ushqimore është një temë jo tërheqëse; ndoshta nuk është mjaftueshëm “sexy” për një publik të mësuar me politikën si pjatë kryesore. Gjithsesi, përtej “shpërthimeve” sporadike, si rasti i AFI, shumë pak flitet, dhe ende më pak bëhet për të.

Ilustrimi më i mirë i gjendjes në të cilën dergjet ky sektor është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Ky institucion është krijuar dhe mbështetur nga ekspertë të huaj me fondet e BE, duke filluar që nga viti 2007, periudhë në të cilën kanë filluar hapat e parë të konceptimit të AKU. Pas zgjedhjeve të vitit 2013, aleanca që do të 'rilindte' Shqipërinë, e shndërroi këtë institucion në një plaçkë lufte.

Vetëm në një mandat, AKU është drejtuar nga tre drejtorë të ndryshëm; nga të cilët dallohet edhe një ish-ushtarak (logjike apo jo?!). Stafi i përgatitur në vite, nga fondet e të dashurës BE dhe të taksapaguesve shqiptar, riciklohej sipas luhatjeve që pësonin marrëdhëniet e Ramës me aleatët.

Gjatë fushatës, kreu i Partisë Socialiste shpjegoi se e dinte që gjendja e AKU-së ishte mjerane, por ai nuk kishte përgjegjësi, ia kishte dhuruar aleatëve qeverisës për ta mbajtur atë në krye të qeverisë (logjike apo jo?!).

Por, sapo erdhi për herë të dytë në pushtet, kuptoi se me AKU duhet të merrej seriozisht. Në një nga ato daljet në ERTV, ku hakërrehej publikisht ndaj drejtuesve të ndryshëm të administratës publike; “tigri i kartonit” tregoi muskujt dhe caktoi në krye të saj një person që është diplomuar për inxhinjeri elektrike pranë Akademisë së Rendit (logjike apo jo?!).

Fati i Agjencisë Kombëtare të Ushqimit është një histori që këtu te ne i bën jehonë një politike me të cilën qytetarët duken të mësuar tanimë. Problemi lind në momentin që kjo politikë nuk mjaftohet me ushqimet që heq nga tavolina si pasojë e varfërisë (vijojmë të mbetemi vendi më i varfër në Europë), por nuk merret me cilësinë e atyre pak gjërave që një familje shtron sot në tryezë.

Do të mjaftonte shumë pak për të shpëtuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve nga abuzimet me ushqimet. Do të mjaftonte që makutëria e Kryeministrit për të kontrolluar çdo gjë të linte jashtë influencës së politikës ato institucione, si AKU, që nuk mund të drejtohen nga ish-ushtarkë, aq më tepër nga ushtarë të partisë, por nga profesionistë dhe ekspertë të respektuar.

Por kjo është një ëndërr në diell, dhe mbi të gjitha “tigri prej kartoni” nuk ka detyrë tjetër; është detyra jonë si qytetarë, pse jo si konsumatorë, që të kërkojmë jo vetëm “vetting”, por edhe siguri ushqimore.

Sakaq, studimi i AFI tregon diçka tjetër; thotë se ne jemi një popull që ha mish me ngjyrues, qumësht me toksina dhe drejtohemi nga politikanë prej kartoni.

“Ne jemi ajo çfarë hamë!”

Të fundit