Mitsotakis mesazh Macron-it: Vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të rishikohet

Kryeministri i Greqisë Kiriakos Mitsotakis i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të nisë bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut vitin e ardhshëm, duke sfiduar kështu vendimin e Francës për të bllokuar zgjerimin në Ballkanin Perëndimor.

I pyetur nëse tani Rusia e ka më të lehtë që të ndërhyjë në rajon, ai tha për Financial Times: “Isha i shqetësuar, jam i shqetësuar dhe do të vazhdoj që të jem i shqetësuar. Ja përse mendoj se vendimi i marrë nga Këshilli i Evropës duhet që të rishikohet”.

Ai më pas dha një këshillë për presidentin Francës, Emmanuel Macron.

“Nëse shikojmë kontekstin e madh gjeopolitik, është shumë e qartë se rruga evropiane duhet të mbahet e hapur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me kusht që të plotësojnë kërkesat. Ky nuk është një proces automatik, përndryshe kjo zbrazëti do të mbushet. Shpresoj që ky gabim do të korrigjohet. Unë u shqetësova dhe do të vazhdoj të shqetësohem. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se vendimi i marrë në Këshillin Evropian duhet të rishikohet në vitin 2020”, deklaroi kreu i qeverisë helene.

Ai kujton se disa dekada më parë, presidenca franceze dikur u tregua e guximshme për çeljen e negociatave të Greqisë pasi kishte rëndësi gjeostrategjike.

“Unë i referohem historisë së Greqisë. Në vitin 1979 Greqia përfundoi negociatat për t’u bërë anëtare e Komunitetit Ekonomik Europian, sepse presidenti francez, në atë kohë, mori një vendim të guximshëm, duke parë kontekstin dhe rëndësinë e madhe gjeopolitike, që Greqia duhej t’i përkiste Evropës për të kapërcyer traumën e junta-s. A ishte Greqia gati të bashkohej në atë kohë? Kush e di?! Dhe sigurisht që procesi ishte shumë i ndryshëm në atë kohë. Por ishte një vendim gjeopolitik, ishte një vendim shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit”, u shpreh ai.