“Mjekët janë infektuar masivisht”, denoncon ish-deputeti: Rama e Manastirliu flasin nga kullat, një Zot e di si do shmanget katastrofa

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boci, e ka cilësuar si katastrofike situatën e krijuar për shkak të COVID-19 në Elbasan. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Boci thekson se shumë mjekë janë infektuar me Covid-19 në këtë qark, ndërsa akuzon Ministrinë e Shëndetësisë për mungesë të masave.

“Rama e Manastirliu flasin nga kullat e… detit. Vetëm një Zot e di se si do shmanget katastrofa shëndetësore që po troket, sepse qeveria pa zot ka marrë pushime të gjata”, shprehet ndër të ish-deputeti, duke shtuar se “situata është lënë totalisht në rënie të lirë.”

Postimi i Luciano Bocit:

Situatë katastrofike e Covid-19 në Elbasan.

Pothuaj gjithë personeli i Njësisë vendore të kujdesit shëndetësor, rezulton pozitiv.

Situata është lënë në rënie të lirë dhe totalisht jashtë kontrollit.

Asnjë karantinim, apo teste për rrethin e kontakteve të të prekurve.

Rreziku është permanent dhe neglizhenca qeveritare absolute.

Asnjë masë nga Ministria e Shëndetësisë për të pamundësuar përhapjen e virusit nga kjo strukturë e shëndetit parësor, kur dihet që kontaktet e tyre me publikun janë të shpeshta.

Rama e Manastirliu flasin nga kullat e… detit.

Vetëm një Zot e di se si do shmanget katastrofa shëndetësore që po troket, sepse qeveria pa zot ka marrë pushime të gjata.