Mlladiç shau nga nëna gjykatësit në Hagë, pak para se të dënohej me burgim të përjetshëm

Gjykata Ndërkombëtare kundër krimeve të luftës në ish-Jugosllavi, ka dënuar sot me burgim të përjetshëm ish-gjeneralin serb, Ratko Mlladiç, për krime kundër civilëve në Bosnjë. Verdikti ku ai shpallet fajtor është shqiptuar pa praninë e tij, pasi gjenerali ka reaguar me arrogancë kur nuk i është dhënë pauza, e cila është kërkuar për shkak të tensionit të lartë të gjakut.

Mlladiçi gjatë kësaj seance ka reaguar ashpër kundër trupit gjykues, duke bërtitur më zë të lartë duke i sharë ata.

“Unë jam i ngazëllyer dhe kjo gjë që ju thoni është një gënjeshtër e pastër! Të turpëroheni, është gënjeshtër që ju thoni”, citohet të ketë thënë Mlladiçi, raporton Express.

Reagimi ishte deri në atë masë sa edhe i shau trupin gjykues, duke ju thënë: “Këto janë gënjeshtra, jua… nënën tuaj, kriminelë”, ka vazhduar duke bërtitur Mlladiçi, derisa është nxjerrë nga salla, nga dy policë.