Moikom Zeqo: Shkarkimi i presidentit, akti më i rëndë për vendin

Akademiku dhe shkrimtari Moikom Zeqo ka komentuar mbi situatën politike, tashme e ‘zhytur’ në një krizë edhe më të thelluar, pas zhdekretimit të zgjedhjeve vendore nga ana e presidentit Ilir Meta.

Në një intervistë për ‘gazetën panorama’, Zeqo  e ka konsideruar vendimin e mazhorancës për shkarkimin e presidentit si një akt të rëndë në historinë e Shqipërisë.

“Dua të sqaroj se qëllimisht po bëhet një ngatërresë nga propaganda e kundërshtarëve. Presidenti ka shfuqizuar datën e procesit zgjedhor dhe jo zgjedhjet.

Ai nuk ka fuqi që të shfuqizojë procesin dhe të vendosë nëse do bëhen apo jo zgjedhjet vendore. Nuk e lejon askush. A mundet që ai përmes një deklarate të bënte me dije se data do të shtyhet? Diçka e tillë ka ndodhur edhe më parë. E ka bërë edhe Nishani me kërkesë të Ramës.

Por, a duhej caktuar një datë e dytë? Mendoj se duhet të ishte bërë diçka e tillë. Nuk e besoj se do ndodhë ajo që trumbetohet se do mblidhen votat dhe do nisë procedura e shkarkimit të presidentit. Kjo është një ngjarje që nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e vendit. Por, që të ndodhë një gjë e tillë, duhet të ketë Gjykatë Kushtetuese. Nuk e besoj se do arrihet deri në atë pikë. Për Shqipërinë, do ishte një akt shumë i rëndë”, u shpreh Zeqo.

Po ashtu, akademiku ka ofruar edhe dy rrugë që do t’i jepnin zgjidhje situatës së krijuar.

“Zgjidhjet janë dy. E përkohshme do të ishte ndërhyrja e ndërkombëtarëve për të qetësuar situatën, për aq kohë sa funksionoi në ’97-ën dhe ’98-ën, kur rrethanat ishin edhe më të rënda.

Ndërsa zgjidhja tjetër ka të bëjë me të ardhmen e politikës dhe është prishja e estabilishmentit të vjetër politik dhe dalja e një estabilishmenti të ri”, tha Zeqo.