Flash News
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Gentian Gaba
Përplasja e djeshme përballë Parlamentit provokoi një reagim të gjerë emocional; duke ndarë edhe një herë shqiptarët në llogore të ndryshme. Nga njëra anë qëndrojnë ata që u prekën nga plagosja e efketives së Policisë; nga tjetra ata që solidarizohen me qytetarët e plagosur nga reagimi i Policisë.
Një koktej fantastik për ata që mbi këto emocione ndërtojnë suksesin e tyre politik. Divide et impera (përça dhe sundo) është një taktikë e vjetër sa vetë politika; dhe Kryeministri, me mediat që përcjellin furishëm ofshamat e tij, e ngriti në oktavën më të lartë gjatë fjalimit të djeshëm nga foltorja e Parlamentit.
Sepse kur opinioni publik përfshihet emocionalisht në një ngjarje, harron në mënyrë krejt të natyrshme rrethanat në të cilat ajo ndodh.
Përballë lotëve të policëve dhe protestuesve, nuk mendon dot se ajo që po ndodh nuk është një konflikt rastësor, por pasojë e një shkaku që e ka origjinën gjetkë. Jo vetëm te plaga e vjetër e pronës, ose te selektiviteti me te cilin disa bëhen pronarë e disa “shpellarë”; por te vullneti i pafrenueshëm i Qeverisë për të ndërtuar një vepër infrastrukturore që kundërmon korrupsion.
Dyshimet e arsyeshme nuk vijnë vetëm nga pohimi i dlirë i drejtorit të ARRSH nga kolltuku i emisionit Opinion: “Ku di unë? Shkoni pyesni kompaninë!”, kur iu kërkua llogari pse projekti teknik për zgjerimin e rrugës, i cili kushton më shumë se një milion euro, u bë falas nga një kompani private. Ato bëhen edhe më të forta kur hulumtohet vetëm një nga kompanitë që ka fituar një nga segmentet e Unazës. Bëhet fjalë për DH Albania, e regjistruar në Shqipëri në korrik të këtij viti, një muaj e gjysmë përpara se të hapej gara për tenderin. Ndoshta nuk përbën surprizë për askënd fakti që kompania është dega shqiptare e një kompanie mëmë offshore, Dunëel Haberman, e regjistruar në një parajsë fiskale. Surpriza është se në krye të degës së këtushme të kompanisë, përfaqësuesja ligjore, është zonja Nesha Lynn Kumar, shtetase dhe banuese e Republikës së Sejshelleve.
Mund të jetë një paragjykim prej “shpellari”, të mendosh se kjo kompani ekziston vetëm për të zhdukur një pjesë të mirë të 40 milion eurove të taksave të shqiptarëve, në arqipelagët e offshoreve. Megjithatë, në një vend normal, enigma e zonjës Kumar, e cila është e aftë të jetë sipërmarrëse në Shqipëri dhe ta zhvillojë jetën në ujërat e Oqeanit Indian, duhet të kishte ndezur një xanxë po aq të madhe sa debati për çmimin e nyjës shumëmilionëshe të Unazës. Por, me sa duket, të ardhurit nga rrethet e Shqipërisë, bëjnë më shumë lajm se milionat e “xanuna” nga kompania guaskë.
Gracka në të cilën të gjithë ranë, ajo e përplasjes midis Policisë dhe banorëve të Astirit, shërben patjetër për të hequr vëmendjen nga zonja Kumar, dhe ata që e kanë sjellë në Shqipëri.
As Ina, policja e plagosur, dhe as protestuesit nuk janë nistorët e dhunës; por viktima kolaterale; ose, më mirë, anësore, të veprimtarisë së një mazhorance që po lë të ardhmen e shqiptarëve si kolateral, për vjedhjet dhe abuzimet mbi të cilat ajo rrugë po përpiqet të ngrihet.