Mos na provokoni se…”, PD i përgjigjet Ramës me fjalët e Gjiknurit: I tmerruar nga rotacioni

Partia Demokratike i përgjigjet kryeministrit Edi Rama, i cili pak më parë e paralajmëroi që të mos shmangë kërcënimet lidhur me marrëveshjen e 5 qershorit, pasi PS doli pro listave të hapura.

Sipas Ramës, marrëveshja u bë për opozitën jashtëparlamentare dhe jo për PS. Nga ana tjetër, PD i përgjigjet Ramës përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, teksa ky i fundit rikthen deklaratat e deputetit të PS, Damian Gjiknuri kur kërkonte disa javë më parë që sistemi dhe listat të mos ndryshonin.

“Edi Rama nuk ka hallin e qytetarëve që sot i ka braktisur të vetëm përballë virusit dhe i ka zhytur në krizën më të thellë ekonomike të 20 viteve të fundit.

Ky frikacak, i tmerruar nga zgjedhjet dhe nga ndryshimi i pandalshëm që po vjen, ka vetëm hallin e tij dhe të një grushti oligarkësh e kriminelësh që e sollën dhe e mbajnë në pushtet.

Dëgjojeni me zë dhe me figurë përgjigjen nga vetë përfaqësuesi i Edi Ramës, kur vetëm javë më parë kërkonte që sistemi dhe listat të mos ndryshonin”, shkruan Bardhi.

Damian Gjiknuri 19 qershor 2020:

Ne, përshembull, si Parti Socialiste, të themi të drejtën, publikisht nuk kemi qenë partizanë për listat e hapura.

Mbase do të vijë dita që do ketë lista të hapura, kur do të pendohen për listat e hapura.

Do të degradohej menaxhimi, do të jetë një korrupsion i mirëfilltë, do të hyjnë njerëzit më problematikë, që nuk do t’jua marrë mendja.

Damian Gjiknuri 21 Maj 2020

Po të hapim lojën e sistemit, në ato mënyra që themi, ne do të shpërbëjmë Kushtetutën e Shqipërisë. Nëse hapim lojën e sistemit, që nuk po them se s’ka ardhur momenti që ta hapim tani, ne nuk mund ta zgjidhim dot tani. S’mund të zgjidhet kjo, kur gjysma e elektoratit është në rrugë, kur një pjesë tjetër këtu dua sepse “unë kam votat, do të të bllokoj”, nuk zgjidhet, do klimë të qetë ajo. Bëhet fjalë për themelet e Republikës sonë.