Flash News

KRYESORE

Mos protesto për Bashën!

Alfred Lela

Krijimi i pistave të diversionit është një teknikë klasike e luftës politike. Njëra palë fillon 'mbjelljen' e tezave që kanë si qëllim nxjerrjen nga shinat apo nga takti të kundërshtarit. Në rrafshin e komunikimit  kjo bëhet për të dominuar ose zhvendosur axhendën e debatit publik, për të krijuar mjegull dhe ngritur dyshime mbi 'ngjarjen' që po mundohet të ndërtojë ana tjetër politike.

Kjo përpjekje u duk edhe ditëve të fundit, kur opozita po mbyllte përgatitjet për protestën e së shtunës së fundit të janarit, që do të hyjë në kalendarin politik të vitit edhe si e shtuna e protestës së parë opozitare të vitit.

Qeveria, me anë të propagandës zyrtare dhe të mbështetësve të saj në mediat tradicionale apo rrjetet sociale, e ka matur diversionin me elementë tashmë të njohur të komunikimit, dhe me një narrativë të dëgjuar më parë. Një klasike e kësaj filozofie është se 'Basha po i nxjerr njerëzit në protestë për hallet e veta': do të shtrëngojë radhët e partisë, të testojë mbështetjen, të ngrohë bazën, të militarizojë militantët etj. Ky serial cinik, por që nuk shkon deri te fyerja apo 'shkatërrimi i imazhit', formulohet kryesisht nga hatërmbeturit me Bashën, sëmbime që e kanë burimin te listat, zgjedhjet e fundit në parti, qejfmbetjet personale etj.

Në këtë rresht mund të ketë edhe neutralë, të cilëve u shkojnë punët mbroth dhe nuk shohin te Shqipëria dhe qeveria ndonjë mbrapshti. Këta janë njerëzit që ngrohen te zjarri i vet; sa kohë e kanë.

Të tjerë krijojnë parabola që i përmbahen parimit leninist, sipas të cilit, sa më e madhe të jetë gënjeshtra, aq më lehtë besohet. Ata këtë bëjnë, formulojnë rrena me bisht që, duke i përsëritur fillojnë e trashen aq shumë, sa t'i besojnë vetë. Madje ua mbajnë me të madh nëse nuk ua besojnë të tjerët. Një prej këtyre pistave triller e sheh shkakun e protestës te pallati i shembur në Vlorë nga Rama në fillim të mandatit të parë, dhe te interesat financiare të kryetarit të opozitës në të. Vini re: të maskuarit pas kësaj gënjeshtre harrojnë se vendimi është i Gjykatës së Strasburgut (PD i kontrollon gjykakat, por jo deri në Strasburg!!!); duke harruar faktin publik se opozita e ka lajmëruar protestën e janarit që në dhjetor, në kohën kur demonstroi para Kuvendit.

Një maskë tjetër dekurajuese hidhet te këmbët e protestuesve në formën e shkurajimit dhe panevojës, kur thuhet se do të ketë qeveri të re ose të përbashkët, apo dhe zgjedhje të reja në qershor të cilat, t'i fitojë kush t'i fitojë (ç'na duhet protesta atëherë, presim edhe 6 muaj për lumturinë e një qeveri tjetër?!).

Nuk harrohet kurrë 18 maji dhe marrëveshja Rama-Basha, që konfigurohet ende si një prapaskenë e errët, përcaktuese e gjithëçfarë ndodh në skenë. Agjitatorët e kësaj teze po i thonë popullit: pse del kot në protestë, gjithçka është përcaktuar: mos u bëj kukull, mos u përdor! etj. etj.

Ka, medoemos, edhe mjegullnaja të tjera që pllenojnë shtigjet e thashethmnajës urbane e rurale të Shqipërisë, por këto qenë ndër kryesoret. Të gjitha, megjithatë, kanë qëllimin për të identifikuar liderin e opozitës si të njëjtë me shefin e qeverisë. Në thelb të kësaj qëndron një rrugaçëri politike dhe injorancë demokratike e cila përjashton çdo parim euroatlantik, sipas të cilit fajin e ka qeveria dhe jo opozita, për mënyrën se si shkojnë punët në një vend.

Opozita e sotme është pakica me më pak pushtet, ndoshta në historinë e pluralizmit shqiptar. Edi Rama i ka të gjitha institucionet në dorë, një më një, deri edhe te Federata e Futbollit, së cilës i ka përgatitur rrethimin për ta marrë së shpejti.

Basha nuk është, dhe as duhet të jetë, interesi i këtij editoriali dhe i protestës së nesërme. Ai, fare mirë, mund të jetë njëlloj si Rama. Por, protestat nuk bëhen për t'i rezistuar, bërë karshillëk, apo snobuar,  shefin e opozitës, por t'i tërhequr vëmendjen pushtetit.   

Për t'i thënë se populli ekziston dhe bashkë me të termometri i pakënaqësive dhe mekanizmi i protestës. Basha do të jetë në krye të protestës, sepse është në kryetari i partisë më të madhe opozitare, por ai nuk merr askënd me vete në PD dhe as në shtëpi, kur marshimi të mbyllet.

27 janari nuk është ditë e anëtarësimit në PD, LSI, PR, PDK, PAA, LZHK etj, është thjesht një apel popullor për qeverinë. Ku bëhen pyetje të llojit: si janë punët me ekonominë, me kriminalitetin, kontrollin e territorit, emigrimin, punësimin, taksat, integrimin në BE, marrdhëniet me jashtë?

Dhe këto janë pyetje për Ramën, jo për Bashën.

Nëse nuk e sheh nevojën e asnjërës prej pyetjeve: gëzoju zjarrit!

 

Të fundit