Flash News
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Alfred Lela
Politika mund të krahasohet me shumë sporte. Ta zëmë, me tërheqje litari. Në këtë sport, dy palët kundërvënëse shfaqen si tërheqëse: ato mundohen ta zhbëjnë tjetrën duke e tërhequr drejt territorit të vet, për ta detyruar të kalojë vizën që e fut brenda kufijve.
Në historinë e luftës dhe të sportit, është ndoshta ndër të rrallët raste kur fitorja nuk përcaktohet nga pushtimi i territorit të tjetrit, por nga futja e 'të huajit' në domenin tënd.
Kështu ngjan edhe në rastin e dyshes politike shqiptare Rama -Basha. Që pas marrëveshjes së 18 majit, e cila çoi në shtendosje litari dhe deri në zgërlaqje të verbit politik, Kryeministri është treguar thuajse i painteresuar për ta tërhequr litarin.
Kjo krijon një problem për kundërshtarin, në këtë rast Bashën, sepse në politikë ti jeton dhe legjitimohesh vetëm nëpërmjet kundërshtarit tënd. Në demokraci po se po, por edhe në diktatura, regjimet i sajojnë kundërshtarët nëse ata nuk ekzistojnë. Armiku i brendshëm apo i jashtëm në rastin e diktaturave, dhe oponenti në rastin e demokracive, është thelbësor për dikotominë e ekzistencës politike.
Basha e ka patur këtë problem, sidomos pas rezultatit zhgënjyes të 25 qershorit, kur ai, me ngadalë, nisi ta ritendoste litarin e lënë në tartanin e pistës së lojës politike për pak javë. Megjithatë, deri diku edhe brenda pritshmërive të kreut demokrat, kundërshtari nuk po i përgjigjej. Ai nuk po i jepte betejë. Kjo shkujdesje tregonte se fitorja ishte aq e madhe sa edhe mosnevoja për tu futur në një përplasje të re. Kryeministri nuk harroi ta falenderonte Bashën në një miting të zhegut të korrikut duke i kërkuar klemencë një turme të përdëllyer nga fitorja e qershorit; një mase njerëzore rozë e cila në çdo rast do ishte pajtuar vetëm me trupin e përgjakur të kundërshtarit ndër këmbë.
Pasi e kish mundur, Akili kishte zgjedhur të mos e lidhte pas koçisë së luftës trupin e Hektorit, dhe të mos e shëtiste rreth mureve të Trojës. Pikërisht duke mos ia dhënë këtë nder me anë të poshtërimit, kryezoti i Peladës e kishte fyer edhe më shumë.
Hektori, lexo Basha, do të vazhdonte të ishte 'djalë i mirë' edhe për disa kohë. Kjo gjuhë e linte litarin në dorën e Bashës. Në politikë nuk lejohet kurrë të bësh kërcim me litar. Sidomos pas një humbjeje. Bashës i erdhi tendosja, ashtu si Paridit të trojanëve i mbërriti shpëtimi mu në dekikun final mes jetës dhe vdekjes. Afërdita që ia shkëputi duarsh Menelaut rrëmbyesin e së shoqes, ishte perëndesha e politikës, rasti. Në formën e 'dosjes së Habilajve' dhe implikimit nga përgjimet italiane të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Lulzim Basha, nëpërmjet këtij momenti deus ex machina 'i fitoi zgjedhjet' që kish humbur më 25 qershor. Dosja e Prokurorisë italiane legjitimonte tezat e tij për infrastrukturën shtetërore të vënë në shërbim të narkotrafikut dhe për paratë e rrjedhura nga ky aktivitet të përdorura në zgjedhje. Litari, që nuk i bindej deri atëherë kryetarit të opozitës, filloi të tendosej dhe të zgjatej drejt duarve të Ramës të cilat vazhdonin të ishin refuzuese.
Te ky ngurrim shumë shohin eliksirin e sondazheve të qeverisë.
27 janari është, ndër të tjera, prova gjenerale e Lulzim Bashës në tërheqje litari. Pjesëmarrja popullore, përgatitja dhe verbi opozitar, skenari, plani, taktika dhe strategjia e protestës së asaj dite dhe vijimit të saj, konceptual apo fizik, do të jetë gjithçka që do të masë tendosjen.
Këtë radhë nuk bëhet fjalë për tendë, por për tendosje.
Çfarë do të bëjë Rama me litarin më 27 janar dhe në vazhdim përcakton se çfarë sporti do të jetë opozita në vazhdim për Bashën dhe ndjekësit e tij.
Tërheqje litari apo kërcim.