Flash News

KRYESORE

A mund të ringjallen fashizmi dhe komunizmi në Amerikë?

A mund të ringjallen fashizmi dhe komunizmi në Amerikë?

Naum Mara

Dy vitet e fundit nxorën në dritë të hapur atë çka fshihet pas “sjelljes politikisht korrekte” në Amerikë - Racizmin. Në biseda me njerëz të ndryshëm në pjesën veriore të shtetit të Nju Jorkut, më binte në sy “urrejtja” ndaj Obamës dhe zezakëve, islamikëve, meksikanëve dhe lëkurëkuqve. Dhe kjo jo vetëm nga “të bardhët evangjelistë“, të cilët njihen për këto pikpamje, por edhe nga italianë të brezit të dytë, emigrantë rusë të brezit të parë, bile edhe nga emigrantë shqiptarë.

Te miqtë e mi me ngjyrë dalloja një stepje për të hyrë në debat dhe solidarizim me njëri tjetrin. Amerikanët e vërtetë (lëkurëkuqtë) nuk përziheshin në biseda politike, por i shihnin me një lloj bezdie të tëra palët. Dukeshin të qetë në fatin e dhimbshëm të tyre.

Të bie në sy qartë, që racizmi ka rrënjë të thella në shoqërinë amerikane dhe ngjarjet e dy viteve të fundit vetëm i kanë bërë më të mprehta dhe më të shfaqura në dritën e diellit.

Racizmi në një masë të madhe njerëzish, i shoqëruar me vështirësi ekonomike dhe me nivel të ulët arsimor të popullsisë është receta e përkryer e fashizmit. Në anën tjetër, urrejtja klasore (një lloj tjetër racizmi) e shoqëruar me krizë ekonomike dhe me propagandë materialiste është një recetë tjetër, që ka sjellë rritjen e komunizmit në vendet e Europës Perëndimore gjatë shekullit XX. Amerika i shpëtoi kësaj dukurie në sajë të një popullsie thellësisht besimtare, por edhe në sajë të mekarthizmit të viteve ’50.

Fushata e fundit elektorale dëshmoi se pjesët e ndryshme të popullsisë amerikane po shtyheshin larg qendrës në politikë dhe kjo për shkak të zhgënjimit të plotë nga “establishment”, që nëpërmjet politikave zyrtare të Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane mban “statu quo”.

Prirja e “establishment” është të mbahen ato ç’ka janë arritur në të drejtat e njeriut, të ruhet gjuha “politikisht korrekt” në mjedise publike, dhe ekonomia të zhvillohet duke krijuar lehtësime për korporatat.

Por ka një realitet, i cili nuk mund të fshihet me gjuhën e zakonshme të gënjeshtërt politike.

Diferenca ekonomike sa vjen e bëhet më e madhe ndërmjet superpasunarëve dhe shtresave të tjera të popullsisë.

Trump nga njëra anë dhe Bernie Sanders nga ana tjetër, ishin dy kandidatët më të pëlqyeshëm për shtresat e gjera të amerikanëve. Një pjesë e simpatizantëve të Sanders votuan për Trump në shtetet kyçe të Pensilvenias, Ohajos dhe Miçiganit duke i dhënë fitoren e paparashikuar. Përgjithësisht, këta votues janë punëtorët e bardhë, të zhgënjyer plotësisht nga “establishment”.

Nëse rritja ekonomike e vitit të kaluar, nuk vazhdon edhe për disa vjet (sipas teorisë ciklike të krizave, shpejt pritet një e tillë) atëhere propaganda ideologjike e ekstremeve bëhet edhe më efikase dhe më shumë e më shumë njerëz do vrapojnë për të përqafuar gjysëm të vërtetat e Marksit, ose të ideologëve fashistë.

Që tani, duken konfrontimet mes zezakëve dhe “arianëve”. Një pjesë e mirë e popullsisë, mbështet komentet e Trump ndaj emigrantëve me ngjyrë, që vijnë nga “vëra e ha…”. Në rast se në zgjedhjet e këtij viti (midterm elections) do arrijnë të fitojnë kandidatë të të dy ekstremeve, më shumë konfrontime do ketë në politikën amerikane.

Konfrontimet në politikë rrjedhimisht sjellin një përballje më të ashpër në grupet shoqërore.  

Rreziku i ideologjive ekstremiste dhe i populizmit është konkret në Amerikë, dhe duket se elitat politike dhe ekonomike nuk po bëjnë përpjekjet e duhura për t’i neutralizuar.

Të fundit