Flash News

KRYESORE

‘Mushkëria e botës’ në flakë/ Pasojat e pariparueshme të dëmeve në Amazonë

‘Mushkëria e botës’ në flakë/ Pasojat e

Vëmendja e gjithë botës është përqendruar tek pyjet e Amazonës që janë përfshirë nga zjarri prej disa ditësh.

Akoma më shqetësues është fakti që numri i vatrave të zjarrit është rritur me 82 % nga një vit më parë. Vetëm gjatë muajit gusht janë llogaritur 26. 000 vatra zjarri.

Sipas një artikulli të Deutsche Welle, shumica e këtyre vatrave janë të regjistruara në shtetin federal të Paras. Prokuroria po heton kundër fermerëve në kuadër të “Ditës së Zjarrit”. Një grup syresh duket se ka vënë në masë të gjerë zjarret për përftim të tokës së punueshme më 10 gusht.

Gazeta lokale “Folha de Progresso” raportoi fillimisht për zjarret në jug të shtetit federal Para. “Ne duhet t’i tregojmë presidentit, se duam të punojmë, dhe kjo bëhet vetëm me heqjen e drurëve.” Për të pastruar këto toka, kemi nevojë për zjarrin”, citon gazeta një nga organizatorët.

Më të rrezikuara nga djegiet janë veçanërisht sipërfaqet e dëmtuara nga prerja e drurëve. “Nëse në pyjet e mëdhenj rriten hapësirat, ku drurët janë prerë apo në kërkim të pasurive nëntokësore, me pasojë fragmentarizimin e sipërfaqes pyjore, atëherë shtohen edhe sipërfaqet me drurë të tharë që ndizen shpejt”, shpjegon Paulo Borreto nga organizata joqeveritare, Instituti Imazon.

Pasoja të mëdha

“Në vitet me thatësirë shuarja e pyjeve mund të prekë deri në 90% të drurëve, sidomos në anët e pyllit”, raporton një studim i Institutit të pavarur brazilian, Ipam. Eksperti Paulo Brando, thotë, se “peizazhi ndryshon radikalisht”. “Ne shohim se si depërtojnë barërat dhe reduktimin e diversitetit biologjik.”

Këtij studimi i paraprin një periudhë vëzhguese prej 9 vjetësh. “Kemi konstatuar një degradim të vazhdueshëm. Kemi vëzhguar shuarjen e drurëve të mëdhenj, dhe periudha e gjallimit të drurëve ka rënë ndjeshëm”, thotë Brando.

Në rajonet, kur flora pas djegieve është përmirësuar disi, studimi tregon, se duhen të paktën 7 vite që pyjet e Amazonës të lëshojnë avuj në atmosferë dhe të përthithin dioksidin karbonik. Studimet në rajon tregojnë po ashtu, se biodiversiteti pëson dëmtime të pariparueshme pas një zjarri. Edhe nëse një pjesë e pyllit rigjenerohet, nuk rikthehet më shumëllojshmëria e drurëve.

Po ashtu kushtet klimatike nuk janë më të njëjta si në dekadat e shkuara. Rajoni i Amazonës është ndërkohë 1 grad më i ngrohtë, se para 60 vjetësh dhe periudha e thatësirës është 3 javë më e gjatë, se para 40 vjetësh, thotë eksperti i Ipam, Brando. “Ky nuk është një proces linear”, por “sa më shumë që ndryshon klima, aq më shumë rriten rreziqet që ndryshimet të jenë tronditëse.”

Të fundit