Flash News

KRYESORE

Mustafa Nano për kritikët e Bashës: Duhet të jesh naiv të besosh se u digjet barku për garën e barabartë

Mustafa Nano për kritikët e Bashës: Duhet të jesh naiv

Mustafa Nano, në një shkrim të publikuar te “Mapo”, analizon situatën e krijuar brenda Partisë Demokratike. Përveç kritikave ndaj Lulzim Bashës, Nano komenton edhe deklaratat e bëra nga kundërshtarët e kandidatit për kryetar të PD-së. Sipas analistit, kërkesa e kundërshtarëve për garë të barabartë nuk është parimore sepse në dy dekada ata kurrë nuk janë dëgjuar të flasin për diçka të tillë. Nano shprehet se në PD po hahen për të qenë pjesë e tepsisë.

“Ndokush mund të thotë se kërkesa e kundërshtarëve të Bashës për një garë të barabartë për kreun e partisë është një gjë parimore, s’ke ç’thua. Nuk është hiç kështu, në fakt. Një betejë është parimore kur ajo ngrihet mbi një parim. Por duhet të jesh naiv të besosh se kundërshtarëve të Bashës në PD u digjet barku për garën e barabartë. Një pjesë syresh kanë afro dy dekada në politikë, dhe ata kurrë nuk janë dëgjuar të flasin për një garë të barabartë brenda partisë së tyre. Ashtu siç nuk janë dëgjuar të flasin edhe për çështje të tjera më të rëndësishme se sa barazia e garës brenda partisë. Dhe është kjo heshtje e tyre, përveç të tjerash, që ka krijuar një kulturë të caktuar brenda PD-së, ku një militant vlen më tepër se secili prej tyre e më tepër se çdo parim demokratik. Kriza si kjo e këtyre ditëve janë një rast i mirë për të evidentuar më të mirën e vetes. Por edhe në këtë rast ata nuk po dinë të bëjnë diferencën. Sepse nuk munden. Janë pa kauzë. Pa ide. Pa një projekt të drejtimit të PD-së. E vetmja ide e tyre në këtë mes është thirrja “Basha ik”. Me sa duket, ngatërrojnë dëshirën me një projekt. Përfundimi? Në PD po hahen – këtu po përdor një gjetje banale që është shumë in vogue këto kohë – për të qenë pjesë e tepsisë. Për asgjë tjetër”, shkruan ndër të tjera Mustafa Nano.

Të fundit