Flash News
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
“Minuan sundimin e ligjit”, DASH shpall ‘non grata’ tre zyrtarë të lartë në Ballkan
Akuzohet për 4 vepra penale/ SPAK nis hetimet ndaj drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi
Mustafa Nano
Nuk e kam takuar asnjëherë. Do doja ta kisha takuar, por nuk më është dhënë mundësia. Ajo ka kohë që jeton jashtë vendit, ka aq shumë kohë sa mua më bëhet se ajo nuk ka jetuar asnjëherë në Tiranë.
Mirëpo e vërteta është që këtu ka kaluar një pjesë të rëndësishme të jetës së vet, ndoshta më të rëndësishmen. Duket se vjen herë pas here këtyre anëve, por nuk ka qëlluar të takohemi. Nuk kemi, me sa duket, ndonjë mik të përbashkët që do mund të na lidhte. Dhe këtu po supozoj se ajo ka miq. Supozim që të shumtën e kohës nuk ma mbush edhe aq shumë mendjen, ngaqë ajo më duket si një njeri jo social.
Ç’është e vërteta, nuk di për ç’arsye, unë besoj se ajo nuk ka fare miq në këtë botë. Duket një natyrë shumë e mbyllur, gati mizantrope. Duket e vetmuar, veçse jo e vetmuar nga e keqja. Duket e vetmuar nga e mira. Me fjalë të tjera, vetminë e ka një zgjedhje të sajën, e jo një kusur për t’u hequr. Aq shumë jam i dhënë pas këtij perceptimi, sa edhe lajmi që ajo është e martuar, më ka kapur në befasi. E kam ditur të pamartuar. Dhe të pamartueshme. “Çfarë zhgënjimi!”, i thashë, në mënyrë krejt idiotike, dikujt që kisha pranë në momentin kur dëgjova për herë të parë që ajo ishte e martuar.
Për të është folur prej kohësh në Tiranë. I është bërë jehonë suksesit në Itali e gjetkë me librat e saj, që ajo nuk i ka shkruar në shqip (mua nuk më ka rënë në dorë asnjë libër i saj). Dhe lajmet mbi të janë shoqëruar me dy-tri fotografi të sajat, në njërën prej të cilave ajo ka pozuar duke e parë fotografin nga poshtë, me një nënqeshje që ia ka pushtuar fytyrën, me ca balluke (cullufe) të pabindura që sulen kërcënueshëm teposhtë fytyrës, dhe me tri palë rripa që i varen mbi supe, një palë të gjimbajtëseve në ngjyrë të errët, një palë të një kanotiereje a këmishe të brendshme në ngjyrë të bardhë dhe një palë tjetër në ngjyrë të errët gjithashtu, provë e faktit që fustani a bluza që ka pas veshur në atë rrethanë (fotoja është qafë+kokë) ka qenë… po e errët.
Më saktë, e zezë. Nëse futeni në Google dhe bëni një kërkim me emrin e saj do t’ju dalin dhjetra foto, të gjitha në ngjyrë të errët. Merret vesh se e parapëlqen këtë ngjyrë. Dhe mua më shkon mendja te dollapi i saj i rrobave, dhe më kap një pezm i lehtë, dhe krejt i pashpjegueshëm, kur e përfytyroj atë duke e hapur atë dollap, prej të cilit vërshon jashtë një si trishtim i zi. Unë e shoh mirë ashtu, të veshur në të zeza, por nuk mund të mos pyes veten: I shkon njëmend ajo ngjyrë, apo jam unë që marr zakonin për harmoni. E bëjmë të gjithë këtë ngatërresë, apo jo? Dy gjëra mund të mos na puthiten kurrë në mendje, por kur i shohim gjithnjë bashkë vjen një moment kur fillojmë e mësohemi me idenë se ato nuk kanë kuptim pa njëra-tjetrën, me fjalë të tjera fillojmë e mësohemi me idenë se ato puthiten sa s’ka ku të shkojë më shumë. Kështu është ndoshta edhe me Ornelën e veshur me të zeza. Ka një gjë që nuk e kuptoj, megjithatë. Nga një njeri si ajo kam pritur që të eksperimentonte qoftë edhe në një rast të vetëm, qoftë edhe me një ngjyrë të vetme. Mirëpo as që bëhet fjalë. Ajo nuk e ndërron të zezën me asgjë ngjyrë tjetër. What a bigotry!
Thashë më sipër që nuk e kam takuar asnjëherë. Por në të vërtetë nuk është bash kështu. Në një farë mënyre jemi takuar. Kur u bë ai diskutimi i madh e absurd, më shumë absurd sesa i madh, lidhur me një deklaratë të sinqertë të sajën mbi një pasion platonik ndaj Edi Ramës gjatë viteve të komunizmit, që asaj i mbeti pa përgjigje, unë ngrita zërin kundër një si barbarie që u manifestua prej disa burrave të Tiranës. Këta të fundit ishin pickuar sa s’kish ku të shkonte më tepër, dhe nuk mundën të përmbaheshin në atë rrethanë. Thanë e ç’nuk thanë. Dhe nuk u mor vesh se ç’kishin. Ku nuk më shkonte mendja. Por më bindi një prej vëzhgimeve që lexova ato ditë, ku në thelb thuhej se “të shumtët, në mos të tërë, kanë qenë të sigurtë se ky amarcord i shprehur ‘pacipësisht’ faqe botës ishte një PR i shkëlqyer në daçi për Edi Ramën politikan, në daçi për Edi Ramën Don Juan. Ka qenë pra së pari inati i tyre politik, dhe së dyti një si kompleks dështimi apo mosrealizimi në rolin e një seduktori, që i bëri nervozë.
Me fjalë të tjera, do kishin qenë të lumtur po të kishin qenë ata në rolin e Edi Ramës. Dhe me këtë gjest nervozizmi ata kanë manifestuar një dëshirim të fshehtë e të hershëm që kanë pasur për Ornelën. Duhen mirëkuptuar të shkretët. Një burrë i shpërfillur prej një gruaje të bukur, e të dëshiruar, thënë ndryshe, një burrë i lënduar në sedrën apo krenarinë e tij prej macho-je bëhet aty për aty i vogël, ndoshta edhe i lig, madje edhe i rrezikshëm.” Ky duhet të ketë qenë një nga shpjegimet. Por duhet të ketë patur edhe (të paktën) një shpjegim tjetër, që ka të bëjë me prapambetjen. Dhe me këtë u mora në një monolog timin në “Provokacija”.
Në atë monolog fantazoja sikur Ornela Vorpsi më kishte dërguar një email, në të cilin, mes të tjerash më thoshte: “I dashur Muç, në këtë vendin tënd dhe timin, që ti mund të mendosh se është më shumë i yti sesa i imi, por që në fakt nuk është hiç e thënë të jetë kështu, mund fare mirë që të jetë më shumë i imi sesa i yti, në këtë vendin tonë sidoqoftë, shenja më e parë dalluese është prapambetja. Është një prapambetje që gati-gati të merr frymën. Dhe është e gjithëgjendshme. Kjo do të thotë se ti nuk i ikën dot asaj. Prindërit e mij, por edhe unë në një farë mase, jemi persekutuar nga diktatura komuniste, por këtu persekutorja më e madhe ka qenë, është e do të jetë prapambetja. Një regjim politik vjen dita që vdes, por prapambetja mbetet. Okupatore. Sundimtare. E pamëshirshme.”
Dhe pak më poshtë e bëja Ornelën ta shfrynte edhe ca zemërimin e saj në atë email fantomatik: “Këta njerëz që më janë vërsulur këto ditë i ka nxjerrë nga binarët pohimi im se ‘unë kam dashur një burrë që nuk më ka dashur’. Unë jam gruaja e parë e njohur, e bukur, që pata guximin të them në publik që ‘unë e doja filan fistekun, e ai nuk më donte’. Dhe ata e urrejnë këtë model gruaje. Ky është një model gruaje që ‘çorodit’ shoqërinë, i bën gratë të jenë më të lira, ose absolutisht të lira, dhe kur them ‘gratë’ kam parasysh të gjitha gratë, edhe gratë e tyre, motrat e tyre, ndoshta edhe nënat e tyre, dhe ruajna Zot, vetëm kjo nuk u duhet, nuk është ky rendi i gjërave në kokën e tyre; rendi i gjërave është një tjetër, është ai në të cilin gratë duhet të kenë turp të flasin për përvojat e tyre intime, për sentimentet, të dashurit apo dashnorët, për dobësitë e zemrës së tyre, për trillet e tyre, dhe uf, sikur ta dinit sa trille kemi ne gratë.”
Ornelës i kishte rënë në vesh se unë kisha mbajtur një monolog të tillë. Dhe u bë e gjallë. Në mënyrën e saj. Duke më dërguar një audiomesazh, me anën e të cilit më falenderonte. Dhe me atë rast shkëmbyem disa audiomesazhe. Ishte kjo hera e parë që unë po e takoja. Dhe hera e fundit, duhet thënë. Ajo është vetëm zë për mua. Një zë i thellë, i plotë. Dhe sensual. Që më pëlqeu shumë. Më pëlqeu aq shumë sa unë kam frikë ta takoj në rrethana reale. Kam frikë se mos zëri i saj, pasi të ketë rekuperuar të gjitha firot që ka pësuar “gjatë takimit tonë të parë” në itinerarin a procesin “zë-rrymë elektrike-zë sërish”, mund të më duket si zëri i dikujt tjetër. Dhe në këtë rast do t’i thosha: “Ti je Ornela? Jo, kjo nuk është e mundur. Ornela që unë kam njohur nuk kishte zërin tënd.”/Gazeta Liberale