Flash News

OP-ED

Nana Terezë dhe Haxhi Qamili

Nana Terezë dhe Haxhi Qamili

Andreas Dushi

Shpesh kam provuar të kuptoj arsyen përse në Shqipëri ka qindra vjet që gjithçka thuajse shkon mbrapsht. Ende nuk ia kam dalë të hedh një hipotezë të qëndrueshme, prandaj ato parapraket nuk po i ndaj me ju as tani. Por diçka duhet të them, pasi besoj se populli ynë nuk është [krejt] fajtor për ato çka po kalon.

Ishte viti 2005, unë kisha mbushur gjashtë vjeç dhe për herë të dytë (hera e parë ishte nga gjyshja) dëgjoj emrin e Nanës Terezë. Isha para punës së tim eti, ku po vendosej një lloj tabani i ngritur në formë kubike, e pak më tej, njerëz protestonin me zë të lartë, përballë atyre që luteshin në heshtje.

“Ah, ke dojnë me vue kto kaurra!” thoshin bërtitësit. Ishte fjala për Nanën Terezë, e treta nanë që dëgjosha gjatë jetës time. Prandaj, duke pyetur veten sa nana kisha, shkova në shtëpi. Aty më thanë se nana Gjyla, pra gjyshja, ishte nana e tim eti, nana Leta ishte nana jeme ndërsa Nana Terezë, nana e atyne që nuk kanë as nana Gjylë e as nana Letë.

Truporja e Nanës Terezë u vendos, Shkodra nuk u ngjye me një tjetër damkë të turpshme dhe unë e shoh thuajse çdo ditë të jetës e herë pas here kujtoj mendjendritjen e poetit që dritëroi veç në errësirë i cili kur aeroporti mori emrin e Saj, reagoi duke pyetur pse, pasi Ajo nuk ishte pilote.

Truporja e Nanës Terezë më ngjan me “Princi i Lumtur” i Wilde, lexuar ndoshta kur isha shtatë apo tetë vjeç; Ai i thoshte dallëndyshes të merrte arin e tij dhe t’ja jepte fëmijëve, atyre të cilëve Nana Terezë u dha jetën e saj.

Shqipëria që lindi Nanën Terezë, lindi edhe Haxhi Qamilin, të dy me një kredo të ngjashme që i drejtohej dy të kundërtëve. I dyti thoshte “Dum Babën!” ndërsa e parë, “Duajeni Atin!”. Populli nuk është përgjegjës për bijtë e vet të këqinj, por nëse ato dhe modelet e tyre i zgjedh si prijës, është më shumë se aq.

Kur pashë sot komente nga ish komunistë që nuk e lejuan Nanën Terezë të takonte familjen e saj, për shembull rasti i kryeparlamentarit, u ndjeva keq, por u pendova dhe me drojë, nën zë i kërkova Asaj që të mund të përsëriste nga buzët e mia, fjalët e Krishtit në kryq. Shpresoj shumë që edhe ato, kur të jenë në prag të vdekjes, të kërkojnë vërtetë ndihmën e Nanës Terezë që të mos zgjedhin duarlarjen e Pilatit, por cubin krah Krishtit i cili thotë: “Të të bie ndër mend për mua o Jezus kur të arrish në Mbretërintë Tënde!”

Prej saj duhet mësuar falja dhe lutja, jo si recitim, por si veprim!

Të fundit