Flash News

OP-ED

Narcisizmi do na shkatërrojë të gjithëve

Narcisizmi do na shkatërrojë të gjithëve

Fitim Zekthi

Në dekadat e fundit të shekullit të kaluar, studiues të shumtë të shkencave sociale, sociologë, antropologë, por edhe filozofë apo politikanë në Perëndim, nisën të përdorin dendur togfjalëshin ‘luftë kulturore’ për të përshkruar debatin apo konfliktin e madh mes vlerave që mbroheshin nga tradicionalistët apo konservatorët dhe progresistët apo liberalët dhe majtistët. Fred Hutchison, një filozof amerikan, thotë se armatën që sulmon, që përkufizon termat dhe që dominon këtë luftë e përbëjnë forca që kundërshtojnë idenë e një ligji moral universal. Një zë i fortë në këtë bashkësi, janë përkrahësit e revolucionit seksual përfshirë homoseksualitetin, feminizmin, normalizimin e lirisë seksuale apo shthurjes dhe ata pro abortit. Në këtë bashkësi një peshë shumë të madhe kanë edhe mbrojtësit e relativizmit kulturor. Këta kundërshtojnë idetë e të vërtetës, bukurisë dhe cilësive të natyrshme në vetvete. Gjithë kjo lëvizje kërkon të zhbëjë trashëgiminë kulturore dhe spirituale dhe ta zëvendësojë atë me një cekëtinë kulturore, ku thelbi janë imazhi dhe shfaqja. Kjo kulturë e re vendosi në qendër të gjithçkaje egoizmin e njeriut dhe sot nga poltroni i Kryeministrit apo takimet e kryetarit të bashkisë, nga salla e parlamentit tek emisionet televizive, nga skena e festivalit të këngës tek aula e universitetit, nga show-t te fotot selfie ka një triumf të plotë të narcisizmit. Narcisizmi është kudo, në veshje, në qëndrim, në biseda, në rritjen e jashtëzakonshme të biznesit të parukerive, në sulmet ndaj tjetrit, në ndërtimin e “tjetrit” etj.

Narcisi ishte një i ri në mitologjinë greke. Ai ra në dashuri me një nimfë të quajtur Eko. Ai i kërkoi perëndeshës Nemesis të hakmerret. Nemesis e dënoi Narcisin. Ai pa në ujë fytyrën e tij dhe ra në dashuri me të. Narcisi vuajti tmerrësisht nga kjo dashuri e pashpresë për fytyrën e tij. Në të vërtetë, narcisizmi është një dashuri e çekuilibruar për veten, vetadmirim, vetadhurim. Për një njeri të tillë ekziston vetëm ai dhe gjithçka tjetër kthehet në zgjatim të tij. Narcisët nuk falin dhe nuk harrojnë. Ata zhyten në obsesione të frikshme. Kështu ne mund të kuptojmë më qartë idhujtarinë që ndërtoi Enver Hoxha për veten, obsesionet e tij, makthet e tij. Ne mund të kuptojmë vrasjen e të gjithë atyre që ishin figurat kryesore të Partisë Komuniste, ish-shokë dhe bashkëpunëtorë. Narcisizmi shpjegon edhe mbushjen e vendit me portrete dhe parulla (edhe malet madje).

Kjo sëmundje, narcisizmi, prodhoi një makineri të tmerrshme që e shfaqte diktatorin si njeri të ditur që shkruante filozofi apo literaturë politike, në një kohë që ai ishte ideuesi mizor i burgjeve, vrasjeve dhe internimeve të gjithë atyre që i quante kundërshtarë. Po kështu ne mund të kuptojmë edhe pafuqinë për të dëgjuar të gjithë politikanët tanë në këto dy dekada e gjysmë. Po kështu mund të shpjegohet muzika mbizotëruese, sharjet, banaliteti dhe rrahjet mes këngëtarëve, por edhe sharjet dhe agresiviteti në rrugë, edhe për një shikim, edhe për një prekje pa dashje. Edhe qëndrimi me orë të tëra para kamerave i Kryeministrit, simulimi i realitetit apo arritjeve qeveritare përmes propagandës, vetëm kështu mund të shpjegohen. Në qendër të gjithçkaje është vetja e pagabueshme, njeriu që di gjithçka, që ka në dorë gjithçka dhe që nuk varet nga asnjë forcë tjetër. Fridrih Niçe nga fundi i shekullit të 19-të tha se “Zoti vdiq”. Ai kishte parasysh njeriun në periudhën moderne që po merrte trajtë, i cili nuk besonte në një bashkësi parimesh transhendentale sipas të cilave duhet të jetonte.

Në vend të një rendi universal që i jep kuptim, qëllim dhe drejtim jetëve të njerëzve, njeriu modern mendon se është vetë ai që ka për detyrë të përcaktojë kuptimin dhe qëllimin e ekzistencës. Pra njeriu vdekatar, vret Zotin dhe kështu nuk ekziston më një autoritet më i lartë të cilit ai duhet t`i përgjigjet. Niçe përshkruan si pikën bazë të kësaj kthese gjigante në kulturën e Perëndimit shekullin e 19-të. Ai shprehet se vdekja e Zotit nuk do të thotë se njerëzit nuk besojnë më në Zot. Ata besojnë ende, por jetojnë dhe sillen sikur besimi nuk ka rëndësi. Pra, vdekja e Zotit është fundi i besimit tek absolutja. Ajo më shumë ka kuptimin e humbjes së parimeve më të larta, para të cilave njerëzit mbajnë përgjegjësi. Absolutja e re që krijohet është njeriu me arsyen por edhe me dëshirat dhe egon e tij. Kjo është edhe bota që kërcënon ekzistencën e njeriut. Vrasja e Zotit, thotë Niçe, krijon një shkretëtirë që përhapet gjithandej dhe e bën jetën e njeriut bosh dhe pa kuptim. Në këtë kuptim vdekja e Zotit sjell vdekjen e njeriut. Sot është e qartë se vrasja e Zotit nuk e ka bërë njeriun më të lirë, as më të lumtur dhe sigurisht as më etik. Shkretëtira rritet dhe pamja e saj më e qartë është te narcisizmi. Njerëzit duke u lidhur pas një parimi më të lartë, forcojnë thelbin e tyre dhe bëhen më të pasur. Ky është i vetmi shpëtim nga narcisizmi dhe vuajtjet që shkakton ai.

 

Të fundit