Flash News

OP-ED

NATO pas Samitit në Londër

NATO pas Samitit në Londër

 Ana Otasheviç/ Demostat

Përkujtimi i 70-vjetorit të NATO-s në Londër duhej të vërtetonte se gjithçka është në rregull ndër antarët e organizatës më të madhe ushtarake në botë. Ndodhi e kundërta- dallimet mes tyre u bënë më të theksuara.

Donald Trampi, Emanuel Makroni dhe Rexhep Erdogani nuk i fshehën qëndrimet e ndryshme mbi gjendjen në botë dhe të ardhmen e aleancës Euroatlantike, në mbledhjen e 3-4 dhjetorit, e cila tregoi sesa të thella janë ndryshimet në skenën politike botërore.

Simbol i këtyre ndryshimeve janë këta tre liderë, presidenti amerikan, francez dhe turk të cilët, megjithëse janë në të njëjtën aleancë politko-ushtarake, kanë ide plotësisht të kundërta lidhur me drejtimin nëpër të cilin po ecën bota. Askush madje as përpiqet që t’i fshehë dallimet.

Miliarderi amerikan në krye të shtetit bëri një rrotullim kur tregoi se nuk jep as pesë para për organizatat shumëpalëshe. Nuk është se qeveritë e mëparshme amerikane kanë investuar shumë në institucionet ndërkombëtare, përkundrazi ato i kanë shkatërruar me sjelljen fodulle, vendimet unilaterale dhe kompleksin e mbifuqisë amerikane dhe presionet financiare. Por, Trampi ndërkohë, unilateralizimin dhe mbifuqinë amerikane e shpalli pa komplekse në politikën e tij. Kësisoj, ky shkatërrim i sistemit shumëpalësh që po zgjat prej dhjetëvjeçarësh të tërë pasqyrohet edhe në aleancën e cila, që nga shpërbërja e Paktit të Varshëvës, shërbeu si instrument për vazhdimin e Luftës së Ftohtë.

Trampi e quajti NATO-n të „vjetëruar“, gjë që kaloi duke rënë më pak në sy sesa konstatimi i Makronit se aleanca është „klinikisht e vdekur“. Arsyeja e një qëndrimi të tillë të Trampit është zhvendosja e qendrës së gravitetit të politikës së jashtme nga Lindja e Afërme në Azi, ku trupat amerikane janë rreshtuar gatitu në Detin e Kinës së Jugut, duke vrojtuar çdo lëvizje të Kinës. Ky ndryshim në prioritete ka filluar të ndodhë që në kohën e Barak Obamës dhe Hilari Klintonit, e cila në kohën që ishte Sekretare e Shtetit, pati deklaruar se lufta për mbipushtet në botë do të luhet pikërisht në këtë zonë gjeopolitike. Trampi e vërtetoi këtë orientim të politikës së jashtme amerikane, gjë që ka shpënë edhe në rishikimin e aleancave dhe aleatëve, edhe brenda NATO-s. Nëse NATO-ja ia arriti të mbajë gjallë kërcënimin nga Rusia si shkak të ekzistencës së saj për një kohë të gjatë pasi u shemb muri i Berlinit, kërcënimi nga Rusia, megjithëse ende fraza më e dashur në deklaratat e udhëheqësve të NATO-s, është konsumuar. As Trampi, por edhe as shumë liderë europianë, në radhë të parë Makroni, nuk e shohin Rusinë si kërcënim, edhe përkundër faktit se kjo nuk po hiqet si tezë në retorikën mbytëse të vendeve ballkanike, balltike dhe në përgjithësi atyre europianolindore, të cilat vazhdojnë të mos i kuptojnë ndryshimet që janë duke ndodhur në skenën ndërkombëtare dhe mbahen fort pas konstruksioneve të vjetra komuniste. Frikësimi me „ndikimin rus“ është fjalë për fjalë inerci e mekanizmit të madh të aleancës ushtarake që synon të tërheqë shtetet e vogla që nuk munden dhe as nuk duan të kundërshtojnë, por fokusi nuk është më këtu.

Trampi, i cili që në fillim të mandatit të tij u gjend nën goditjen e demokratëve për shkak të „lidhjeve ruse“, u mburr pas mbledhjes në Londër se „ka bërë më shumë se asnjë president tjetër amerikan më parë për kaq pak kohë“. Kjo ishte përgjigje ndaj pluhurit që u ngrit kur u publikua videoja në të cilën dëgjohet kryeministri kanadez Xhastin Trudó tek përqesh presidentin amerikan në shoqërinë e Makronit, kryeministrit britanik Boris Xhonson dhe kolegut të tij hollandez Mark Rute. Xho Bajdeni, rivali i Trampit nga radhët e demokratëve, e shfrytëzoi këtë menjëherë për të treguar se kundërshtari i tij është objekt talljesh jashtë shtetit, megjithëse pohon të kundërtën. Bajdeni është personaliteti qendror në aferën e cila kërcënon impeachment-in e Trampit për shkak të akuzës se ka bërë presion ndaj presidentit ukrainas për të realizuar një hetim kundër Bajdenit.

Qëllimi kryesor i Trampit është të përballojë sulmin e demokratëve dhe të fitojë zgjedhjet në vitin e ardhshëm. Politika e jashtme është një prej instrumentave që ai ka në dispozicion. A do të bëjë ai ndonjë lëvizje të madhe në fushën e politikës së jashtme në mënyrë që të tërheqë vëmendjen nga procesi që po zhvillohet kundër tij brenda vendit? Shumë veta mendojnë se një gjë e tillë edhe mund të ndodhë, por për shkak të natyrës së paparashikueshme të lëvizjeve të tij, nuk dihet ende se ku do të pasqyrohet kjo: në Korenë e Veriut apo në ndonjë pikë tjetër të planetit.

Krahas Trampit, i cili kërcënon antarët e tjerë të NATO-s se do të zvogëlojë kontributet e ShBA-ve në NATO (për këtë foli kryeministri kanadez pas bisedës me presidentin amerikan në Londër), presidenti francez Makron është lideri tjetër i NATO-s i cili nuk beson në të ardhmen e aleancës. Deklarata e tij mbi „vdekjen klinike“ të aleancës ushtarake në revistën britanike The Economist në prag të samitit në Londër shkaktoi një rrëmujë të përgjithshme. Makroni dëshiron të gjallërojë idenë e mbrojtjes europiane, edhe përkundër pengesave të qarta që janë të natyrës politike dhe ushtarake; për këtë i duhet të bindë antarët e tjerë të BE-së, gjë e cila nuk do të jetë e lehtë sepse një numër i madh vendesh europiane mbështetet në „çadrën amerikane“ që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Gjermanët janë të shqetësuar për shkak të situatës me Uashingtonin, por gjithsesi janë me të përmbajtur se presidenti francez, „stili“ i të cilit u’a ngre nervat. Mosmarrëveshjen e Makronit me liderët europianë, ambasadori francez në Uashington Zherar Aró e shpjegon në llogarinë e tij në Tuitter në këtë mënyrë; Kur Franca thotë: „SHBA-të po bëhen gati të largohen, europianët duhet të përgatiten për t'u mbrojtur vetë“, europianët i përgjigjen: „Hesht se mos i bën që vërtetë të largohen“. Makroni për këtë e ka zbutur tehun e kritikës kur tha se nuk dëshiron që NATO-ja të zhduket, por të përshpejtohet formimi i mbrojtjes europiane. Ai ka probleme edhe brenda vendit, i cili po kalon nëpër një sërë ndryshimesh shoqërore, gjë që e ngadalëson politikën e tij europiane me të cilën e ka filluar,në mënyrë mjaft ambicioze, mandatin.

Lideri i tretë që po gërryen NATO-n është Erdogani, shëmbëlltyra e populistit, të pushtetit të personalizuar në një njeri të vetëm, gjë që është prirje edhe në pjesë të tjera të botës. Tensionet me Turqinë të antarëve europianë të NATO-s, janë rritur në mënyrë të veçantë pasiqë Erdogani ndërmorri sulmin kundër aleatëve perëndimorë, kurdëve në Siri. Erdogani gjithashtu ka blerë armë të shtrenjta ruse, gjë që i ka zemëruar aleatët e tij në NATO, njëlloj si edhe loja e tij rreth Qipros dhe shantazheve se do t’i lëshojë emigrantët në Bashkimin Europian. Për europianët Turqia është kërcënim dhe jo aleat.

Të gjitha këto vënë në pikëpyetje mbijetesën e NATO-s. Rirregullimi në skenën ndërkombëtare është duke u zhvilluar, po largohemi gjithnjë e më shumë nga ajo pamja e botës me të cilën jemi mësuar deri tani.

Nga kuptimi i këtyre lëvizjeve do të varet edhe e ardhmja e periferisë, në të cilën gjenden vendet e Ballkanit, ata që ende nuk janë antarë të BE-së, dhe përcaktimi i tyre ndaj ShBA-ve apo ndaj BE-së, të cilat gjithnjë e më pak po luajnë në të njëjtën anë të fushës, si dhe ndaj Rusisë, Kinës dhe Turqisë, interesat e të cilave kryqëzohen në Ballkan.

Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

Të fundit